Kenia e pret Obaman si djalin e saj (Foto)

Kryeqyteti i Kenisë ishte jashtëzakonisht i qetë të premten pasdite në pritje të ardhjes së Barack Obamas në atdheun e babait të tij, për një vizitë që do të realizohet nën masa të larta të sigurisë në këtë vend, i cili po përballet me Shebabët, kryengritësit somalezë, të besatuar me “Al-Qaedan”.

Lajme

25/07/2015 09:20

Për Barack Obaman kjo është vizita e parë në këtë vend qëkur është zgjedhur president.

Një pjesë e Nairobit, kryeqytetit kenias, ishte tërësisht e mbyllur sikurse edhe hapësira ajrore që nga momenti kur presidenti amerikan ka mbërritur atje, të premten dhe deri në largimin e tij, të dielën në mbrëmje, drejt Etiopisë dhe selisë së Unionit Afrikan.

Të premten pasdite është vërejtur një ngjarje e çuditshme – rrugët ishin zbrazur nga veturat. Po ashtu, një turmë kishte filluar të grumbullohej përskaj rrugës me shpresën se do ta shihnin konvojin e Barack Obamas.

Presidenti amerikan do të mbajë sot (e shtunë) një fjalim gjatë një samiti ndërkombëtar rreth ndërmarrësisë dhe do të takohet me homologun e tij kenias, Uhuru Kenyatta, me të cilin do të diskutojë për çështje ekonomike, të fushës së sigurisë dhe të respektimit të të drejtave të njeriut.

“Afrika është një vend i dinamizmit të pabesueshëm, ku gjenden disa tregje me rritjen më të hovshme në botë, me njerëz të jashtëzakonshëm”, ka deklaruar presidenti Obama në Washington para se të nisej për turneun afrikan.

“Mundësitë janë të jashtëzakonshme dhe ne duhet t’i thyejmë klishetë dhe barrierat”, ka shtuar ai.

Komandanti i Policisë së Nairobit, Benson Kibue, ka njoftuar se 10.000 policë, pra një çerek e forcave policore, janë dislokuar në qytet. Islamistët somalezë Shebabë përbëjnë burimin kryesor të shqetësimit në fushën e sigurisë.

Të premten, gazetat kryesore të vendit në ballina kishin të shkruara “Karibu Obama” (“Mirë se vjen Obama”), e njëra premtonte pritje spektakolare për “djalin e këtij vendi”. Kurse, presidenti Kenyatta ka përmendur “lidhjet miqësore, por edhe familjare që bashkojnë Obaman dhe Keninë”.

Obama Karibu AP Kenya Obama obama a pritja