KEK: Gjendja është në kontroll, nuk ka konfirmim për të vdekur

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), nuk dhënë informata nëse ka të vdekur nga shpërthimit që ka ndodhur në Termocentralin Kosova A. KEK, njofton se gjendja është nën kontroll.

Lajme

06/06/2014 15:51

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se situata është nën kontroll dhe se nuk ndonjë rrezik për ndonjë shpërthim të ri.

KEK, në një komunikatë për media të lëshuar pas shpërthimit të sotëm  në Termocentralin  Kosova A, ka njoftuar se të lënduarit janë jashtë rreziku për jetë ndërkaq, nuk kanë treguar nëse ka të vdekur.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni ekipet mbikëqyrëse të KEK-ut kanë dalë në vendin e ngjarjes”.

“KEK-u njofton se pas shpërthimit informacioni është shpërndarë në të gjitha institucionet relevante në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë e nevojshme policore ato të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave nga niveli qendror, Komunal dhe ekipet mjekësore të qendrave të mjekësisë familjare dhe ato të QKUK-së”.

“Në vendin e ngjarjes të gjitha njësitë bashkërisht me shpejtësi kanë filluar evakuimin e personelit që në atë moment gjendej duke punuar në atë repart si dhe në repartet e tjera, në ndërkohë që kanë bërë edhe sigurimin e perimetrit të zonës ku ka ndodhur shpërthimi” .

“Të gjithë personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në qendrat më të afërta mjekësore dhe në QKUK dhe janë jashtë rrezikut për jetë”.

“Aktualisht është bere evakuimi i personelit nga të gjitha repartet e Bllokut A”.

“Pas veprimeve të ndërmarra në vendin e ngjarjes situata është nen kontroll dhe aktualisht nuk ka rrezik”, thuhet në komunikatën KEK-ut.