Katër të arrestuar për posedim substancash narkotike

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona dhe ka konfiskuar mbi një kilogram marihuanë dhe 300 gramë heroinë.

Lajme

10/12/2014 19:43

Në një komunikate për media thuhet se Policia ka realizuar një operacion të kontrollimit të një veture në të cilën dyshohej se mund të kishte substanca narkotike.

“Pas ndalimit dhe kontrollit të veturës së dyshuar, janë gjetur brenda saj 1038.5 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë, me ç’rast vetura e dyshuar është konfiskuar dhe tre persona të dyshuar janë arrestuar. Dyshohet se personat e arrestuar vepronin në grup të organizuar dhe lidhur me këto dyshime është realizuar kontrollimi i katër lokacioneve tjera”, thotë komunikata, e cila saktëson se aksioni është zhvilluar në rajonin e Ferizajt.

Sipas njoftimit, si rezultat i bastisjeve është arrestuar edhe një person i dyshuar, në shtëpinë e të cilit janë konfiskuar 305 gramë substancë e dyshuar si drogë heroinë.

Rasti ka qenë nën hetim policor për një periudhë disamujore dhe ekziston dyshimi i bazuar se kjo sasi e drogës ka qenë e destinuar për konsumim të brendshëm.

Personat e arrestuar janë A. B. (1986), Sh.T. (1976), L. F. (1990) dhe A. B. (1990).

Personave të arrestuar me vendim të prokurorit kompetent ju është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.