Katër parimet themelore të politikës kosovare

Cilat janë parimet kyç, të cilat sipas qytetarëve të këtij vendi, duhet të respektohen prej të gjithë atyre që synojnë të merren me politikë në Kosovë.

Opinion

03/03/2016 10:51

 

 

Politika kosovare, e përfaqësuar këtu prej partive që janë në Qeveri dhe prej entiteteve që janë në opozitë, nëse njëmend synon ta bëjë Kosovën shtet të qëndrueshëm, e ka të domosdoshme të respektojë këto parime themelore të cilat janë interes jetik i qytetarëve të Kosovës. Ato janë të panegociueshme. Ato nuk mund të ndryshohen dot.

Së pari, kjo politikë duhet të garantojë sigurinë në vend. Siguria është kushti kyç për një shoqëri, për një shtet, të cilit i subordinohen të gjitha kushtet dhe kriteret e tjera. Qytetarët e Kosovës, nuk duhet të frikësohen të dalin në qytet, për shkak të dhunës që ka burim politikën. Qytetarët e Kosovës nuk bën të shqetësohen për fatin e tyre, në vijim të pamjeve që i servohen nga Kuvendi i Kosovës. Qytetarët e Kosovës nuk bën të tmerrohen nga fjalori i politikanëve që pëlcet nga ‘mjetet shpërthyese’  (verbale), i cili paralajmëron ngjarje të rënda për të gjithë ne.

Natyrisht, siguria në Kosovë duhet të ofrohet dhe të garantohet në të gjithë territorin e saj.

Dyzimi i politikës me dhunën, në çfarëdo variant të mundshëm, cila do qoftë prapavija e tij, ka pasoja të mëdha për sigurinë në një shtet, dhe gjithsesi ndikon tek rënia e besimit te qytetarët e një vendi për të ardhmen e tyre.

Së dyti, liria në Kosovë nuk mund të jetë vlerë e sigurt, nëse nuk ka sundim të mirëfilltë të ligjit, nëse të gjithë qytetarët nuk janë të barabartë para ligjit, nëse edhe politikanët nuk i nënshtrohen ligjit. Nuk ka togfjalësh më të përdorur, në komunikimin publik, se ky për ‘Sundimin e Ligjit’. Nuk ka argument më të fuqishëm se diçka nuk është në rregull me Sundimin e Ligjit, se sa përdorimi aq i shpeshtë i tij në gjithë diskursin publik. Nëse në një periudhë kohore që matet me pak vjet, nuk do të mbërrihet ky synim, mbi të gjitha, duke krijuar rrethanat kur të gjithë ne njohim dhe respektojmë Ligjin, dhe kur do të luftohet si duhet korrupsioni në vend, atëherë, nuk ka gjasa që Kosova të stabilizohet si shtet. Mund të merret me mend çfarë pasojash kjo do të ketë për të gjithë ne.

Së treti, politika kosovare duhet të përqendrohet, shumë më tepër, tek zhvillimi ekonomik i vendit, tek mirëqenia sociale e qytetarëve të saj. Për shkaqe të njohura për të gjithë ne, duket që këto dy tema kyç për qëndrueshmërinë ekonomike të vendit, janë margjinalizuar fare. Vetëm dy vjet më parë, në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të vitit 2014, qasja e politikës kosovare, e të gjitha entiteteve që kërkonin votën e qytetarëve të Kosovës, ishte krejtësisht tjetër. Në fakt, e gjithë fushata, thuaja të gjitha debatet mediatike, kishin të bëjnë me ofertat ekonomike dhe sociale të politikanëve dhe të partive për qytetarët e Kosovës. Këto oferta ndërtoheshin edhe mbi orientimin bazik të entiteve politike, të cilat që të gjitha, thonin që gravitojnë kah qendra  (e djathtë dhe e majtë). Të gjitha këto tani janë harruar. Dihet pse. Ndërsa qytetarëve të Kosovës gati kanë mbërri në stadin e skadencës së afatit të durimit të tyre. Ata duan të jetojnë më mirë. Tash.

Së katërti, politika kosovare nuk guxon të ofrojë asnjë argument të vetëm dyshimi kur bëhet fjalë për relacionet e Kosovës me Perëndimin, që ndër ne, njeh këtë dimensionin e veçantë të marrëdhënieve me SHBA-në, dhe atë të raporteve në krijimin e sipër me Bashkimin Evropian.

Miqësia e Kosovës me Amerikën, në fakt, e shqiptarëve si komb me SHBA-në, është njëra ndër vlerat shumë të rralla, që vazhdon të jetë vlerë me karakter absolut ndër ne. Mbase, do të ishte humbje kohe të argumentohet pse është kështu. Secili prej nesh, si shqiptarë të Kosovës, kemi rrëfime personale, të fatit të familjeve tona, të fatit tonë kolektiv, më në fund, që lidhen me rolin që Amerika ka pasë në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Në anën tjetër, drejtimi evro-atlantik i Kosovës si shtet, jo që nuk ka alternativë për ne, por për më shumë, është jetik për të garantuar përjetë e mot ekzistimin e shtetit të Kosovës dhe për të krijuar rrethanat kur ne të gjithë, si qytetarë të Kosovës, do të jemi qytetarë të barabartë të Evropës, dhe kur do të vuloset përkatësia e jonë Qytetërimit perëndimor.

(Autori është opinionist i rregullt i lajmi.net)