Karaxhiqit i shpallet verdikti nga Haga, ditën kur NATO filloi bombardimet mbi ish Jugosllavi

Radovan Karaxhiq akuzohet për organizim të gjenocidit kundër boshnjakëve në Srebrenicë më 1995 dhe në shtatë komuna të Bosnjës më 1992, persekutim të jo-serbëve në të gjithë vendin, terrorizim të popullsisë së rrethuar të Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së

Lajme

18/02/2016 18:16

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë njoftoi të enjten se më 24 mars do të japë vendimin e saj shkallës së parë në çështjen kundër Radovan Karaxhiqit.

Ish-kryetari 69-vjeçar i serbëve të Bosnjës akuzohet për organizim të gjenocidit kundër boshnjakëve në Srebrenicë në vitin 1995 dhe në shtatë komuna të Bosnjës në vitin 1992, persekutim të jo-serbëve në të gjithë vendin, terrorizim të popullsisë së rrethuar të Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Prokurorët kanë kërkuar dënim me burgim të përjetshëm.

Por, në deklaratën përfundimtarë të Karaxhiqit para gjykatës në tetor të vitit 2014, ai pranoi se krimet ishin kryer gjatë asaj që ai e quajti lufta “e tmerrshme” e viteve 1992-1995, por këmbënguli se ai kurrë nuk i urdhëroi këto krime, raporton kallxo.com.

“E kam ndërgjegjen e pastër dhe zemrën e qetë, sepse unë nuk dëshiroja luftën,” tha ai.

Prokuroria megjithatë argumentoi se ai ishte përgjegjës për organizimin e gjenocidit, dëbimit me dhunë dhe përndjekjes në një shkallë masive gjatë konfliktit të viteve 1992-1995, me qëllim shkatërrimin e të gjithë komunitetit boshnjak.

“Kur mijëra vriten dhe mijëra traumatizohen dhe ndalohen, pjesa më e madhe e shtëpive dhe vendeve të tyre të lutjes shkatërrohen dhe pjesa tjetër e tyre zhvendosen në të gjithë botën, mund ta përcaktosh shumë qartë se me veprime të tilla synohet shkatërrimi i komunitetit,” tha prokurori Alan Tieger në argumentet e tij përmbyllëse.

Gjyqi filloi në vitin 2009, pasi Karaxhiq u arrestua në Serbi dhe iu dorëzua gjykatës së Hagës pas më shumë se një dekadë në arrati.

Që atëherë, rreth 600 dëshmitarë kanë dhënë dëshmi dhe gjyqtarët do të duhet të marrin në konsideratë mbi 11,000 dëshmi prova materiale dhe dhjetëra mijëra faqe prova me shkrim./lajmi.net