Kampioni i hedhjes dallëndyshe, Sali Riza Gërqina zhduket pas kërcimit nga Ura e Fshejtë

Kampioni i shumëfishtë i hedhjes, Sali Riza Gërqina është zhdukur pas hedhjes së tij nga bregu tek Ura e Fshejtë në Gjakovë.

Lajme

27/06/2017 23:37

“Siç jeni të njoftuar, sot në ora 16:00 ka ndodhur një kërcim nga Ura e Fshejtë, ku personi në fjalë fatkeqësisht nuk ka dalë më nga uji”.

“Rasti ka ndodhur spontanisht,  personi në fjalë është i njohur si kërcimtar shumë i mirë, ka kërcyer qindra herë por që sot fatkeqësisht nuk doli nga uji”, ka thënë togeri i Policisë në këtë rajon, Sejdi Dobra.

Dobra ka treguar në Kosova Direkt të Klan Kosovës se kërkimet për sonte kanë përfunduar.

“Ekipet e shpëtimit bashkë me qytetarët dhe njësitë tjera relevante të Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë qenë të pranishëm edhe autoambulanca dhe zjarrfikësit, e më pas kanë ardhur edhe zhytësit nga Prishtina”.

“Deri më tani është kërkuar në hapësirë të madhe por kërkimi është ndërprerë për shkak të natës dhe shiqimit të dobët”.

Ai ka treguar se kërkimi do të përsëritet dhe do të vazhdojë edhe nesër.

“Nesër në mëngjes do të përsëritet kërkimi në lokacionin e njëjtë nga zhytësit e Prishtinës në kuadër të FSK-së”.

Sipas Dobrës, familjarët e Gërqinës janë njoftuar për rastin e që sipas tij, ata janë shumë optimist për gjetjen e familjarit të tyre.

“Familjarët janë informuar, kanë qenë në vendin e ngjarjes, është optimizëm se familjari i tyre do të gjendet. Si gjithmonë, shpresa vdes e fundit”.

Sipas togerit, rastet e tilla nuk janë të shpeshta në këtë vend por që sipas tij, një rast tragjik ndodh secilin vit.

“Rastet e tilla nuk janë të shpeshta,  por ndodh nga një rast secilin vit, çdo vit ky lum e han nga një njeri”.