Kampanjë për edukim financiar të klientëve në Kosovë

Në Kosovë ka filluar kampanja për edukim financiar e cila është realizuar në kuadër të Projektit për Edukim Financiar të klientëve bankar.

Lajme

23/06/2015 16:09

Në kuadër të kësaj kampanje janë publikuar videot vetëdijësuese në fushën e e-banking, huazimit të mençur dhe karakteristikave të produktit.

Këto video kanë për qëllim të rrisin edukimin financiar të klientëve duke i bërë ata klient proaktiv të cilët janë të informuar mirë për financat personale, kuptojnë karakteristikat e produkteve bankare dhe rrjedhimisht bëjnë huazim të mençur.

Në lidhje me fillimin e kësaj kampanje drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija ka thënë se është bërë kjo në mënyrë që të përmirësohet niveli aktual i edukimit financiar të popullatës, posaçërisht duke targetuar klientët ekzistues dhe potencial të bankave në Kosovë.

Në mënyrë që klientët të kenë kuptim më të gjerë të financave personale, përveç kampanjës vetëdijësuese, projekti për Edukim Financiar të Klientëve Bankar parasheh të ofrohen trajnime falas për klientët e bankave në këto fusha: Menaxhimi i financave personale, huazimi i mençur dhe kursimet.