Kadaj-Bujupi: Qytetarët do t’i thërrasin arsyes, nuk do të festojnë

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, akuzon drejtuesit e PDK-së se po i nxisin simpatizantët e kësaj partie që të festojnë zgjedhjen eventuale të Hashim Thaçit president.

Lajme

25/02/2016 18:45

Në një deklaratë për lajmi.net, Kadaj Bujupi, e ka quajtur Thaçin si një politikan provincial e cili, sipas saj, po tenton që rajonin nga ai vije ta nxisë për të ardhur në Prishtinë.

Ndërsa, ka vlerësuar se qytetarët, siç ka thënë, do t’i thërrasin arsyes dhe nuk do të festojnë, si një mundësi për t’i ikur ndonjë përleshje me protestuesit e opozitës që pritet të mblidhen nesër në kryeqytet.

“Insistimi i z. Thaçi që me çdo kusht dhe me çdo çmim të zgjidhet president, në rrethanat e këtilla çfarë jemi, sigurisht që dëmton stabilitetin e shtetit të Kosovës dhe thellon krizën. Ndërsa, aktivizimi i zonës prej nga vjen ai, është tregues se ky jo vetëm që nuk ka përgjegjësinë elementare të një burrështetasi në të cilën çdo qytetar dhe çdo qytet e fshat i vendit për presidentin e shtetit është njëjtë i rëndësishëm dhe i barasvlershëm, por tregon që Thaçi ka mbetur një provincialist primitiv që nuk del përtej logjikës zonale”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

“Besoj që qytetarët, e edhe të asaj zone do t’i thërrasin arsyes, të heqin dorë nga deklarimet e dëgjuara mbrëmë në  tv, se “Kosova është Thaçi”, por të kuptojnë se Kosova është e të gjithë qytetareve dhe një e pandashme. Çdo veprim tjetër do të jetë i rrezikshëm dhe fatal për shtetin tonë”./lajmi.net