Jo zgjedhje para pranverës

Ramush Haradinaj mendon se do të ishte shqetësuese mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Sipas tij, askush në Kosovë s’është i interesuar të mbahen zgjedhje, e ato të mos jenë zgjedhje. Koha optimale, sipas tij, është fundi i pranverës së vitit 2014.

Lajme

25/10/2013 20:20

Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, mendon se nuk është mirë që Kosova të hyjë në zgjedhje të parakohshme, pa u kryer reforma zgjedhore dhe pa u përgatitur.

Sipas tij, akush nuk është i interesuar në Kosovë që të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ai iu referua deklaratës së Ambasadores Amerikane Tracey Jackobson, e cila është shprehur qartë se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, pa u bërë reforma zgjedhore, do të ishte gabim dhe do të rrezikonte raportet e Kosovës me Perëndimin.

“Ne kemi përvojat e zgjedhjeve të dëmtuara, të parregullsive në zgjedhje”, ka thënë Haradinaj, të premten.

“Do të ishim  të shqetësuar në rast se mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, 45 ditë, sepse do të ishte problem të jenë të rregullta, të lira, dhe që të votohet si duhet.”

“Ky është shqetësimi besoj i Ambasadores dhe të gjithë neve. Askush nuk e ka interesin në Kosovë që të mbajmë zgjedhje, e ato të mos jenë zgjedhje.”

“Por, ne kemi kohë që të përgatisim zgjedhjet parlamentare, pas këtyre zgjedhjeve. Në një afat kohor optimal, mund të mbahen zgjedhjet diku në fund të pranverës, vitin që vjen”.