Je në burg? Mund të mësosh një zanat

Një memorandum bashkëpunimi i nënshkruar sot ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Caritasit të Kosovës u jep mundësi të burgosurve që të ndjekin kurse të ndryshme zanati në mbështetje për ri-integrimin e të burgosurve në shoqëri pas lirimit.

Lajme

23/01/2014 11:31

Të jesh i burgosur në vuajtje të dënimit, nuk nënkupton ta bjerrësh ditën shtrirë në shtrat.

Një memorandum bashkëpunimi i nënshkruar sot ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Caritasit të Kosovës u jep mundësi të burgosurve që të ndjekin kurse të ndryshme zanati  në mbështetje për ri-integrimin e të burgosurve në shoqëri pas lirimit.

Memorandumi është nënshkruar nga Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Caritasit të Kosovës, Don Viktor Sopi.

Ky memorandum parasheh që Caritasi i Kosovës të realizojë një projekt shtesë ndaj aktiviteteve që realizon Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe që ka për qëllim ri-integrimin e të burgosurve pas lirimit nga burgu, ku me anë të aktiviteteve edukuese do ju ofrojnë të burgosurve njohuri lidhur me profesione të caktuara të cilat ata mund t’i përdorin pas lirimit nga burgu dhe t’i shndërrojnë në profesion.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Caritasit të Kosovës, Don Viktor Sopi nënshkruajnë memorandum për ri-integrimin e të burgosurve

 

Pas nënshkrimit të memorandumit, Ministri Kuçi tha se ky projekt do të forcojë misionin e tij dhe të Ministrisë së Drejtësisë për risocializimin dhe ri-integrimin e të burgosurve me qëllim që pas lirimit ata të kthehen të barabartë dhe të jenë të dobishëm për shoqërinë.

Drejtori i Caritasit Sopi, tha së e gjithë puna e Caritasit është mision dhe shtoi që edhe aktivitetet që do i zhvillojnë me të burgosurit është mision për t’i ndihmuar ata.

Projekti i Caritasit të Kosovës do të fokusohet në Qendrën Korrektuese të Lipjanit, ku edhe do të realizohen aktivitetet që janë të parapara në bazë të modaliteteve profesionale dhe në bazë të rregullave të sigurisë të kësaj qendre korrektuese të parapara me ligj, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Drejtësisë.