Java e demarkacionit dhe dialogut!

Nga e hëna zhvillimet e rëndësishme politike në Kosovë nuk do të ndalen. Me dialogun dhe Demarkacionin, Kosova do ta ketë një javë shumë të ngarkuar.

Lajme

18/03/2018 23:34

Së pari, nga nesër do të vazhdojë dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ekipet negociatore të dyja shteteve do të takohen në Bruksel nesër, dhe diskutimet do të vazhdojnë deri më 21 mars.

Dy ditë më vonë pra më 23 mars, dialogu do të vazhdojë edhe në nivelin e lartë. Presidenti Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel.

Temë kryesore në këto takime do të jenë marrëveshjet që deri më tani nuk janë zbatuar. Me në fokus formimin e komunave me shumicë serbe.

Kjo të paktën ishte bërë e ditur ditë më parë në një njoftim nga zyra e Mogherinit.

“Ata do të vazhdojnë të diskutojnë për normalizimin e plotë të raporteve, dhe do të vlerësojnë punën e vazhdueshme në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese”, u tha në komunikatën e lëshuar nga zyra e Mogherinit.

Sot gjatë ditës presidenti serb deklaroi se me Thaçin do të takohet për t’i “zgjidhur problemet”.

E veç diskutimeve me Serbinë, punë të madhe do të ketë koalicioni qeverisës.

Ata janë duke bërë gjithçka që deri të martën t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për ratifikimin e Demarkacionit.

Seanca tashmë është caktuar të mbahet të martën me fillim nga ora 16:00.

Kryeministri Haradinaj në një konferencë për media bëri thirrje te të gjithë deputetët të jenë në sallë dhe ta votojnë këtë marrëveshje.

Por, këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi ka thënë për Lajmi.net se tashmë koalicioni i ka siguruar 80 vota.

“Ne po besojmë se kemi me i mbërri 80 vota, pasi është interes i vendit, është interes madhor i vendit. Kosovës i hapet krejtësisht një perspektivë tjetër. Janë adresuar problemet të cilat ne i kemi pasur si shoqëri në lidhje me demarkacionin dhe besojë që është një hap shumë i madh për Kosovën dhe nuk ka asnjë arsye pse të dështojë dikush”, ka Arifi, për lajmi.net.

Mundësia e koalicionit qeverisës për sigurimin e votave është nëpërmjet deputetit goran të Listës Serbe, Adem Hodza.

Pas rikthimit të Donika Kadaj-Bujupit në AAK, deputeti Hodza do të ishte vota e 80-të dhe më e rëndësishme për votimin e Demarkacionit. /Lajmi.net/