Japonia, vendi që po plaket me hapa të shpejtë

Popullsia e Japonisë është zvogëluar me rreth një milion banorë në pesë vitet e fundit. Kjo është rënia më e madhe që nga viti 1920, kur qeveria japoneze ka zhvilluar censusin e parë.

Bota

28/02/2016 15:08

Në periudhën 2010-2015, Japonia ka humbur 947 345 qytetarë të saj, praktikisht një shifër më e madhe se ajo e popullsisë së San Franciskos në SHBA.

OKB-ja parashikon që deri në vitin 2100, popullsia e Japonisë do të zvogëlohet progresivisht, duke arritur në 83 milionë banorë. 35 % për qind e tyre do të jenë mbi 65 vjeç.

Ky ngadalësim demografik do të ketë pasoja negative për vendin me nivelin më të lartë të borxhit publik në botë.

Vitet e fundit, anketat kanë treguar se japonezët e kanë humbur ndjeshëm interesin për seksin. Atje është bërë popullore ajo që quhet “sindroma e beqarëve”. Dhe kjo jo vetëm për ata që janë ligjërisht të tillë.

Vitin e kaluar, të dhënat e mbledhura nga “Shoqata Japoneze a Planifikimit Familjar” treguan se 49 për qind e të pyeturve u përgjigjën se nuk kishin pasur marrëdhënie intime gjatë muajit të fundit. Kjo shifër ishte 5 % më e madhe krahasuar me vitin 2013.

Të pyetur në lidhje me arsyet, 21 për qind burrave të martuar thanë se ishin shumë të lodhur pas pune, ndërsa 16 për qind nuk dhanë justifikim specifik, por thanë se ndiheshin seksualisht inaktivë pas lindjes së fëmijëve.

24 për qind e grave të martuara raportuan se seksi ishte bërë i mërzitshëm, ndërsa 18 për qind shihnin si pengesë lodhjen nga puna.

Gjithashtu, mosha e martesës për femrat japoneze sa vjen e bëhet më e madhe, ndërsa lindjet jashtë martese qëndrojnë në nivelin 2 %.

 

Në një përpjekje për të parandaluar një krizë demografike, kryeministri Shinzo Abe ka emëruar deputetin Katsunobu Kato si “ministrin e 100 milionë njerëzve aktivë”. Kato është ngarkuar me detyrën për të gjetur mënyrat e rritjes së numrit të lindjeve.

Një tjetër problem me të cilin lidhet numri i vogël i lindjeve është plakja e popullsisë. Japonia ka trendin më të madh në botë të plakjes së popullsisë.

Sipas një raporti të Universitetit të Pensilvanisë, i cili titullohet “Të thinjurit e Japonisë”, personat me moshë mbi 65 vjeç mund të kapin së shpejti nivelin e 25 për qind të popullsisë.

Numri i vogël i lindjeve nga çiftet japoneze do të bëjë që numri i personave aktivë për punë të bjerë dhe ai i të moshuarve të rritet së tepërmi, thuhet në raport.