Jahjaga: Zvicra kërkon riatdhesimin e kosovarëve që ikën ilegalisht

Presidentja, Atifete Jahjaga tha se Zvicra është investitori i katërt më i madh në Kosovë.

Lajme

16/03/2015 20:33

Prandaj, sipas saj, Kosova po interesohet për thellimin e bashkëpunimit me Zvicrën.

Në një lidhje direkte për RTK, Jahjaga tha se Kosova ka një diasporë të fuqishme në Zvicër të cilës duhet krijuar kushtet për investimet të tyre në vendlindje, duke u garantuar fillimisht siguri.

“Me Presidenten e Konfederatës së Zvicrës, Simonetta Sommaruga kemi folur edhe për krijimin e një Fondi të përbashkët në Kosovë, dhe besoj që ky fond shumë shpejt do të realizohet”, tha ajo.

Jahjaga, duke folur për sundimin e ligjit, tha se Kosova ka probleme me krimin dhe korrupsionin, si dhe me luftimin e këtyre dukurive.

Madje në takim me Sommarugan u fol edhe për migrimin ilegal të kosovarëve.

“Zvicra është njëra ndër vendet që ka pasur një numër më të vogël të qytetarëve tanë që kanë kërkuar këtu azil dhe u pajtuam që të kemi një bashkëpunim më intensiv për riatdhesimin e këtyre qytetarëve, të cilët kanë rënë pre e grupeve kriminale që fatkeqësisht kanë përfituar në fatkeqësinë e qytetarëve tanë”, tha e para e vendit.