Jahjaga: Zhvillimi ekonomik hap vende të reja pune

Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga priti të hënën guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, i cili ia dorëzoi raportin vjetor për vitin 2013.

Lajme

23/06/2014 17:18

Presidentja u njoftua nga guvernatori për ecurinë e zhvillimit ekonomik të vendit, të cilin e vlerësoi në parametra pozitivë, për sistemin e qëndrueshëm financiar dhe fiskal të Kosovës, për sistemin stabil dhe të sigurt bankar, si dhe për rritje të nivelit të eksportit në raport me importin e mallrave gjatë vitit 2013.

Guvernatori Hamza tha se Kosova ka shënuar përparime në zhvillimin ekonomik dhe vlerësoi domosdoshmërinë e garantimit të klimës së mirë të afarizmit dhe rrjedhimisht edhe të sistemit bankar në vend.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e vendit janë përqendruar në çështjet e zhvillimit ekonomik të vendit, përmes krijimit të kushteve të favorshme për investime qoftë për afaristët lokalë ose ata ndërkombëtarë. Ajo tha se përmes zhvillimit ekonomik do të mundësohet hapja e vendeve të reja të punës për të rinjtë e Kosovës.

Presidentja e vlerësoi punën që po bën BQK-ja dhe theksoi nevojën që ky institucion të vazhdojë angazhimin në mirëmbajtjen e stabilitetit financiar.