Jacobson takoi liderët partiakë, kërkon zgjedhje të lira e demokratike

Në ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, liderët e partive kryesore në Kosovë, janë mbledhur të enjten në mëngjes në një takim te ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson. 

Lajme

29/05/2014 12:46

Sipas burimeve të lajmi.net, takimi është mbajtur me kërkesën e ambasadores Jacobson, ku ajo ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që fushata dhe zgjedhjet e 8 qershorit të jenë të lira dhe demokratike.

“Në këtë takim është biseduar për procesin zgjedhor nëpër të cilin po kalon Kosova. Ambasadorja Jacobson ua ka përcjellë edhe njëherë liderëve të partive politike qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike është domosdoshmëri për ecjen përpara të Kosovës në rrugën e saj euroatlantike”, ka thënë burimi i lajmi.net.

Po ashtu, sipas burimit të lajmi.net, ambasadorja ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikes si mike, mbështetëse të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, presin nga secili lider partiak të kontribuojë në krijimin e një klime të qetë gjatë fushatës dhe mbajtjes së zgjedhjeve, sipas standardeve dhe vlerave demokratike.