Ja si duket Windows 10 në celularë

Microsoft shfaqi një numër karakteristikash të reja dje të Windows 10 për celularë, dhe tani ne kemi mundësi që t’ia hedhim një shikim më të mirë këtij sistemi të ri.

Auto & Tek

22/01/2015 13:06

Shumica e demonstrimeve fokusohen në përmirësimet e aplikacioneve dhe veçorive të tjera në Windows Phone, duke i rregulluar kështu edhe shumë probleme në të.

Kjo përfshinë mail, hartat, fotografitë, Skype dhe mesazhet, transmeton Lajmi.net.

Mail është njëri prej përmirësimeve më të mëdha në aplikacionet e kompanisë. Microsoft është duke ndërtuar gjithashtu edhe një aplikacion universal të Outlook për celularë, tabletë dhe PC që veprojnë përmes Windows 10.

Kalendari është përmirësuar gjithashtu, dhe ju do të keni një mbështetje të plotë të Gmail në të gjithë celularët, tabletët dhe PC-të, transmeton Lajmi.net.

Përmirësime të tjera përfshijnë aplikacionin e kamerës, i cili tani është Lumia Camera dhe përmban aftësi të tilla si incizimin më të shpejtë të një videoje dhe kontrolle të tjera manuale që Nokia i kishte prezantuar së pari me Lumia 1020.

Hartat gjithashtu janë përmirësuar në celularët me Windows 10. Microsoft është duke lëvizur drejt hartave të veçanta në Windows 10, që përfshinë drejtimet kthesë pas kthese, integrim të Cortana-së dhe çdo gjë tjetër që ka ekzistuar edhe më herët në aplikacionin e hartave.

Mesazhet gjithashtu janë përmirësuar, dhe Microsoft ka integruar më në fund Skype-në në Windows 10 për celularë. Ju tani mund të dërgoni SMS dhe mesazhe në Skype në të njëjtën mënyrë, dhe të ndërroni mënyrat ndërmjet tyre shumë më lehtë.

Ekziston gjithashtu edhe një tastierë e re, me një dorezë që ju lejon të lëvizni kursorin rreth tekstit për ta redaktuar atë.

Shfletuesi Spartan, i cili zëvendëson Internet Explorer, është gjithashtu në Windows 10 për celularë.