Ja si dukej Presidenti Nishani kur ishte fëmijë (FOTO)

Presidenti Bujar Nishani veç suksesit si politikan duke arritur në postin më të lartë të Shqipërisë ka qenë edhe i preferuari i vajzave të klasës.

Fun

14/01/2016 12:02

Ai ishte fëmijë kavalier.

“Shpeshherë, shumë vajza kishin dëshirë të uleshin me mua në bankë, edhe në 8-vjeçare”, ka treguar para disa vitesh Bujar Nishani në një intervistë për“Tirana Observer”. Në atë kohë Nishani sapo ishte zgjedhur ministër i Brendshëm.

Rrëfimin e tij “Tirana Observer” e boton sot me shkurtime.

Suksesi në shkollë

“Suksesi” i tij në shkollë kishte filluar që në ditën e parë të shkollës. “Kam hipur në karrige dhe kam recituar, por nuk e mbaj mend vjershën”, deklaronte Nishani ndërsa i kthehej kujtimeve të fëmijërisë.

Nga prindërit cilësohej si djalë i mbarë, pak i ledhatuar se ishte fëmija i parë, por që nuk para sillte sherre në shtëpi.

Por fakti që s’i sillte në shtëpi, nuk do të thotë se ishte larg tyre kur ishte jashtë. “Mbaj mend që në lagje ishim të ndarë në disa grupe çunash, ziheshim shumë me njëri-tjetrin dhe më është çarë disa herë koka nga gurët e shokëve. Për këtë kam goxha shenja në kokë”, ka deklaruar Nishani duke shpjeguar se ato ishin lojëra që ktheheshin në grindje.

Lojërat

“Natyrisht, pasi na qepej koka, pasdite harronim përsëri dhe ktheheshim të luanim”, kujton politikani.

Loja me pulla ishte një nga lojërat më të preferuara për të. Kush i fitonte pullat shokut, ky ishte misioni.

“Kjo bëhej duke i fshehur ato, kokë apo pil, kush e gjente pullën që ishte fshehur nën gur apo nën dorë ai fitonte. Kjo ishte loja më interesante, por që përfundonte gjithnjë në grindje, sepse ajo konsiderohej si lloj pasurie që mund të ikte nga dora”, pati deklaruar në intervistë atëherë deputeti i PD-së, e tani Presidenti i vendit.

Fatkeqësisht sot s’ka asnjë kujtim të materializuar për to. “Mbaj mend që pas shumë peripecish dhe pas shumë zëniesh, grindjesh me shokë, një ditë nëna m’i dogji të gjitha e i futi në sobë, sepse harroheshim gjithë ditën duke luajtur. Mesa duket ka qenë edhe dënimi më i madh që kam ndjerë në jetën time”, kujton Nishani.