Ivanovic mund të mbrohet nga avokati i Milosevic’it

EULEX kërkon nga Oda e Avokatëve të Kosovës që të regjistrojë avokatë të Serbisë, të cilët do të mbrojnë Oliver Ivanovic’in. Mirëpo, Kryetari i OAK’së, Ibrahim Dobruan mohon të ketë marrë një kërkesë të tillë.

Lajme

22/03/2014 19:35

Oliver Ivanovic i akuzuar për krime lufte të bëra ndaj civilëve shqiptar gjatë vitit 1999 dhe krime të pas luftës, gjatë vitit 2000, ka gjasa të mbrohet nga ish-avokati i Slobodan Milosevic’it, Toma Fila.

Fila me anë të një kërkesë të bërë përmes misionit të EULEX’it, ka kërkuar të jetë pjesë e Odës së Avokatëve të Kosovës, në mënyrë që të mbrojë klientin e tij, Ivanovic.

Mirëpo, Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Ibrahim Dobruna, tha për lajmi.net se një kërkesë e tillë ende nuk i është drejtuar nga ana e EULEX’it.

Ai tha se në momentin kur të pranojnë këtë kërkesë, do ta trajtojnë atë bazuar me ligjin adekuat.

“Ne ende nuk kemi marrë ndonjë kërkesë të tillë. Nuk mund të themi asgjë për momentin. Mirëpo, në rast të pranimit të kësaj kërkese, ne do të shohim se a ka bazë ligjore. Në rast se ka, atëherë kërkesa do të pranohet si dhe e kundërta”.

Grupi i gjykatësve të EULEX’it në Gjykatën Themelore të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që avokati i Oliver Ivanovic’it, Toma Fila, të paraqesë kërkesë për regjistrim në Dhomën e Avokatëve të Kosovës, shkruan e përditshmja serbe Politika.

Kjo kërkesë është paraqitur në letrën që ky grup i gjyqtarëve më 18 mars i kishte këtyre përgjigje avokatit Toma Fila, pasi që ky i fundit kishte kërkuar që t’i lejohet të vizitojë Oliver Ivanovic’in i cili gjendet në paraburgim.

Sipas kësaj të përditshme, kjo letër është dërguar nga një zyrtar ligjor i EULEX’it.