Ismajli : Trepça do të prodhojë 120-130 mijë tonë xehe

“Trepça” është vizituar të matrtën nga zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, dhe ministri i Mjedisit Dardan Gashi. Të gjithë shprehën mendimin se Trepça do të rrisë prodhimin e saj.

Lajme

15/04/2014 16:46

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, gjatë një vizite në “Trepçë”, ka thënë se kjo kompani tash pasi është kthyer në ndërmarrje publike, do të rritë kapacitetet e saj prodhuese.

“Trepça nuk privatizohet, por Trepça riaktivizohet me një forcë edhe më të madhe. Ka shumë pyetje se sa do të investohet në Trepçë, sa do t’i kushtojë Qeverisë, por Trepça po bëhet që të kthejë dinjitetin e minatorëve dhe t’i japë buxhetit të Kosovës”, ka thënë Ismajli.

“Në vitin 1930 Trepça ka prodhuar 80 mijë tonë xehe, ndërsa, këtë vit do të prodhojë 120-130 mijë tonë”, ka shtuar ai, njofton KosovaPress.

Menaxheri i Trepçës, Ahmet Tmava tha se pasi të aprovohet Ligji për Trepçën , ai do të kërkojë ndihmë edhe nga Qeveria e Kosovës.

“Do të dalim me kërkesa dhe projekte konkrete posa të aprovohet ligji dhe Trepça të shndërrohet në ndërmarrje publike, dhe do të kërkojmë ndihmë edhe nga Qeveria, sepse ne mendojmë që Qeveria ka obligim që në fazën e parë të na mbështes, deri sa të funksionalizohemi. Interesimin që kanë Qeveria dhe Parlamenti, jemi të bindur se do ta shpërblejmë duke ia kthyer Trepçës shkëlqimin që ka pasur”, ka thënë Tmava.