Ish-prokurori i Hagës: Gjykata Speciale do ta pastronte Kosovën

Geoffrey Nice thotë se mos themelimi i Gjykatës Speciale do ta pengojë Kosovën në arritjen e qëllimeve ndërkombëtare. Ai pranon se kjo gjykatë është politike, por thekson se, edhe si e tillë, ajo do ta pastrojë Kosovën nga pretendimet e ngritura.

Lajme

15/05/2015 15:42

Ish prokurori i Gjykatës së Hagës, Geoffrey Nice, ka thënë se nëse Kosova nuk e krijon Gjykatën Speciale, atëherë do ta kishte të vështirë që t’i arrijë objektivat ndërkombëtare.

Ai gjatë një ligjëratë para studentëve të fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës ka thënë se krijimi i gjykatës e cila do hetojë pretendimet e ngritura për krime lufte të kryera nga ish ushtarë të UÇK-së, do ta pastronte Kosovën, ndonëse e vlerëson si gjykatë politike.

“Nëse kemi një gjykatë atëherë të gjitha pretendimet e ngritura mund të pastrohen dhe kjo do ta bënte më të lehtë veprimin politik të Kosovës, por nëse nuk kemi gjykatë për Kosovën do të jetë shumë e vështirë të arrihen të gjitha qëllimet që ka në nivelin ndërkombëtar. Në fund duhet të them që gjykata speciale është plotësisht veprim politik”, ka thënë ai, transmeton lajmi.net.

Ish-prokurori që punoi në ngritjen e aktakuzës kundër Sllobodan Millosheviqit, u shpreh se nuk e di nëse do të gjykohen edhe liderët e UÇK-së, nga Gjykata Speciale. Kurse, duke folur për pretendimet e Dick Martit, i ka vlerësuar si të pavërteta.

“Unë kam lexuar më herët raportin e Dick Martit dhe në një nga shkrimet e mia në gazetat ndërkombëtare kam thënë se nuk ka asgjë nga këto pretendime, se a do t’i prekë liderët e UÇK-së kjo gjykate, kjo mbetet të shihet, por unë nuk kam më shumë informacione për këtë çështje”, u shpreh ai.

Ish- prokurori Sir Geoffrey Nice, para studenteve të fakultetit juridik ligjëroi për temën “Sfidat e Tribunaleve Ndërkombëtare për Krime të Luftës dhe përvoja personale në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë”, ka thënë se këto tribunave nuk japin rezultatet e pritura.

Ai duke folur për gjykimin që është bërë për masakrën në Serbrenicës, ka thënë se pritjet e banorëve nuk janë realizuar.

“Banorët në Serbenicës kanë pasur pritje të larta dhe ato nuk janë realizuar, duke i lënë ata të zhgënjyer”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka treguar se gjykatat të cilat krijohen për të gjykuar krimet e luftës kanë presione të ndryshme.

“Realiteti për këto gjykata është se i nënshtrohen presioneve, gjë e cila nuk ishte dashur të ndodhte dhe që nuk ndodh në gjykatat funksionale të vendeve tjera nuk ushtrohet”, është shprehur ish-prokurori i Gjykatës së Hagës.

YouTube player