Ish-ministri Rrahmani flet për vdekjet në QKUK

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, nuk ka pranuar të flas asgjë në lidhje me rastin e vdekjes së dyshimtë të pacientëve në QKUK.

Lajme

28/09/2017 17:49

Ai ka thënë se është “njeri serioz” dhe nuk spekulon pa pasur argumente, shkruan Gazeta Shneta.

“Nuk është në pyetje vetëm lajmi, por jeta e njerëzve dhe etiketimi pa nevojë. Janë organet kompetente që po merren me rastin, sepse mjekësia nuk është sikurse shet kep e patligjana por është më e thellë”, ka deklaruar Rrahmani.

Për ironi, sikur mjekësia të ishte më e thellë në kohën kur ai ka udhëheq me këtë sektor, pacientët do të ishin më të sigurt dhe ndoshta nuk do të vinte deri te vdekja në salla të operacionit.

“Edhe njerëzit vdesin nganjëherë, njerëzit janë të vdekshëm”, ka shtuar ai.

Ndonëse rasti ka ndodhur kur Rrahmani ka qenë ende ministër në detyrë, ai thotë se është njoftuar për këtë vetëm pasi ka dorëzuar pozitën e ministrit.

“E kam marr vesh ma vonë. Merreni lexone ligjin aktual të shëndetësisë që e ka pru Ferid Agani, e ai është fajtori për moskomunikimin e institucioneve, prandaj s’dua të komentoj”, është shprehur Rrahmani.