Ish ministri i AKR-së përzgjedhet Kryshef Ekzekutiv në një ndërmarrje që administrohet nga AKR-ja

Fadil Ismaili, ish ministër në qeverinë “Thaqi2”, i cili vinte nga koalicioni i AKR-së, është përzgjedhur Kryeshef Ekzekutiv në një Ndërmarrje Publike që është në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e cila drejtohet po nga AKR-ja.

Lajme

08/02/2019 16:44

Ndërmarrja më e re që po funksionalizohet gradualisht e cila është në kuadër të MZHE-së ,“Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës Sh.A” që ndryshe quhet NKEC është bërë me Kryshef. Ish ministri i MZHE-së, Fadil Ismaili është përzgjedhur nga Bordi i Drejtorëve të kësaj Ndërmarrje me datë 6 shkurt.

Zyra për informim e MZHE-së, nuk ka dashur të japë asnjë sqarim lidhur më këtë konkurs, nëse ka pasur edhe garues të tjerë, apo, se edhe kur do të kompletohet stafi për këtë ndërmarrje.

Por, këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, ish ministri Fadil Ismaili.

“Po kam garuar në këtë pozitë dhe jam përzgjedhur”, tha Ismaili.

Me gjithë përgatitjen profesionale të Ismailit, rasti i përzgjedhjes është pak i dyshimtë. Fillimisht, ai në vitin e kaluar kishte garuar edhe për Drejtor të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike –ZRrE. Emri i tij ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës për propozim Kuvendit. Por, para se të shkonte në Kuvend, në mënyrë të dyshimtë ishte hequr nga lista pasi vendimi është publikuar.

Ismaili tha për lajmi.net se kishte garuar edhe për Drejtor të Bordit të ZRrE, dhe sipas tij, ajo lëndë është akoma në procedurë.

“Nuk jam përzgjedh anëtar i Bordit të ZRrE, kam pas garuar, ata emra akoma nuk kanë shkuar në Kuvend për votim. Më duket që është akoma në procedurë. Por, kam garuar për KryshefEkzekutiv në Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës Sh.A” dhe jam përzgjedhur. Këtë ma ka konfirmuar Bordi”, tha Ismaili.

Bordi i Përkohshëm i Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës Sh.A./ NKEC është emëruar në maj të vitit 2018 dhe ishte thënë se do të ketë mandat gjashtë mujor. Pas kësaj kohe pritej zgjedhja e Bordit të përhershëm të Ndërmarrjes NKEC, por një gjë e tillë nuk është bërë, pasi ai Bord i njëjtë ka bërë përzgjedhjen e KryshefitEkzekutiv, Fadil Ismaili.

Ndryshe, kjo ndërmarrje do të ketë për qëllim blerjen e energjisë elektrike nga Termocentrali i Ri i menaxhuar nga kompania amerikane “Contour Global” dhe shitjen e saj kompanive për furnizim me energji elektrike. Ferit Idrizit, i është besuar drejtimi i Bordit për gjashtë muajt e ardhshëm.

Pikërisht njëri nga kushtet e kompanisë amerikane ishte garancia e shitjes se energjisë përmes Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës Sh.A./ NKEC, kusht ky që iu ka plotësuar qysh tani investitorit. Kjo do të thotë se investitori amerikan qysh tani e ka të garantuar shitjen e gjithë energjisë së prodhuar nga thëngjilli kosovar.

Ndërtimi i Termocentralit të Ri kapë një investim prej 1.3 miliardë euro dhe do të ketë kapacitet gjenerues prej 500 megavatësh.

Ndërsa, MZHE ka hapur konkurs edhe për Zyrtarë kryesor i financave dhe thesarit në këtë ndërmarrje dhe për pozitën e sekretarit. /Mentor Buzhala /Lajmi.net/