Ish-agjenti i SHIK-ut, rrëfen vrasjen e dyfishtë pas 15 viteve (Video)

Një i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë ka rrëfyer për herë të parë se si e kreu krimin para 15 vitesh. Marjan Rroku, dikur punonjës i Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ish-¬student i shkëlqyer i fizikës, qëlloi me armën e shërbimit në mes të Tiranës, një vajzë dhe nënën e saj.

Lajme

28/02/2016 16:56

Për herë të parë pas 15 vitesh, ai e ka pranuar krimin për emisionin “E diela shqiptare” të “Tv Klan”. I intervistuar nga Ardit Gjebrea në qelinë e burgut të Fushë­ Krujës, ai rrëfen se si 15 vite më parë bëri diçka që nuk e kishte imagjinuar kurrë. “Në 2001 unë kam bërë diçka që nuk e kisha menduar as unë, as kush më ka njohur. Kam vrarë dy vetë. Ka 3 versione të ngjarjes, por asnjëri nuk është i saktë, transmeton lajmi.net

“Ka qenë rastësi. Nuk kam dashur ta vras Aldën dhe as Mbarimen (nëna e saj). Unë prindërit e Aldës i njihja, i kam takuar disa herë. Ne jemi takuar në fund të vitit 2000, ishte thjesht shoqëri. Më pas, unë fillova punë stabile te SHIK-­u. Ajo pati një dobësi për mua. Por nuk filloi kurrë si lidhje dhe as vazhdoi si lidhje. Ishte diçka që nuk e shpjegoj dot”, rrëfen Rroku.

“Kam takuar të ëmën, i thashë: Çfarë doni nga unë? Ajo më tha se kishte dëgjuar se vajzën do t’ua çoja në Itali. Më thanë: Zhduku nga Tirana se je tallur me vajzat tona. Atë ditë (ditën kur ndodhën vrasjet) shkova në mëngjes në punë, ndenja një orë. Shoqja e Aldës më dha një letër. E hapa: ‘As dua t’i shoh sytë, as dua të kem të bëj me ty’. Duke shkuar në shtëpi, takova të ëmën, mendova t’i jap letrën. I thashë: Mos shkruaj më letra! Ajo më shau dhe më gjuajti me çantë”.

“Kam rënë përtokë dhe sikur të kem pasur një çelës diku në kokë dhe që nga ai moment çdo gjë është e turbullt për mua. Nuk mbaj mend asgjë. Është një pjesë e jetës time që nuk mund të them që kjo është e vërteta. Vetëm ika, pistoletën e kisha me vete. Mendoja të vrisja veten. Sot e mendoj se nëse do të veproja kështu, do të kisha bërë 10­fish mëkat. Zoti të fal gjithçka”, ka rrëfyer ai.

15 vjet pas vrasjes së dyfishtë, ai thotë se është penduar. “Nuk më takon mua të vendos kush vjen në këtë botë dhe kush ikën prej saj. Është një histori që nuk kam dashur ta hap më përpara”, shprehet Marjani. /lajmi.net

http://www.dailymotion.com/video/x3us44h_ish-agjenti-i-shik-ut-rrefen-vrasjen-e-dyfishte_news