Isa nuk i ka të gjithë deputetët e LDK-së pro koalicionit

Koalicioni i bllokut opozitar nëse nuk arrin të marrë mbështetjen e Vetëvendosjes, do ta kishte të vështirë t’i bënte numrat për ta krijuar qeverinë Haradinaj, edhe po t'i vinte përgjigje pozitive nga Gjykata Kushtetuese, pretendimit të tyre. E këtë e bënë edhe më të vështirë fakti se, të paktën katër deputet të LDK-së, janë kundër vendimit të kryetarit Mustafa, të nënshkruar me Haradinajn dhe Limajn. 

Lajme

29/06/2014 22:15

Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, të ndihmuar edhe nga Albin Kurti, menjëherë pas ditës së zgjedhjeve, me të kuptuar rezultatin, i cili nxori fitues Partinë Demokratike të Kosovës, u ngutën të nënshkruajnë një marrëveshje, përmes së cilës pretendojnë t’i pamundësojnë Hashim Thaçit mandatin e tretë qeverisës.

Por në partinë më të madhe të koalicionit të këtij blloku opozitar, jo të gjithë janë pro marrëveshjes, e cila i jep postin e kryeministrit, kryetarit të partisë e cila në zgjedhjet e 8 qershorit doli e katërta me vetëm rreth 9% të votave.  

Në LDK edhe publikisht po kundërshtohet vendimi, që edhe një herë t’i jepet Ramush Haradinajt posti i kryeministrit, e që ai të mos i takojë partisë më të madhe të koalicionit.

Por ky nuk është problemi i vetëm me të cilin po përballet LDK.

Burime të sigurta të lajmi.net, brenda kësaj partie, bëjnë të ditur, se janë të paktën katër deputetë të LDK-së që kanë arritur të hyjnë në Kuvend, e që i takojnë krahut të Fatmir Sejdiut në parti.

E dihet qartë se ish kryetari i LDK-së, është kundër formës se si po drejtohet partia nga pasardhësi i tij, Isa Mustafa.

Këto burime, thonë se këta deputetë, emra që i ka redaksia e lajmi.net, nëse koalicioni i opozitës arrihet të qohet në votim në Kuvend, do të votojnë kundër, ose do të abstenojnë.  

Ishte Sejdiu, i vetmi që në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, votoi kundër nominimit për kryeministër të kryetarit Mustafa.

Ndërsa më vonë, gjatë përpilimit të listës për deputetë të LDK-së, ata patën edhe në thyerje tjetër.

Edhe pse Sejdiut iu rezervua numri 4, ai nuk pranoi fare të hyjë në listë, duke e akuzuar ish këshilltarin e tij në kohën kur ishte president, se kishte bërë lojëra, me takimet e aranzhuara mes tyre.

Koalicioni i opozitës, i ka vetëm 47 deputetë, e këtu kur i hiqen edhe 4 të grupit të Sejdiut, ngelin vetëm 43.

Ky koalicion ndoshta do të mund të jetësohej vetëm nëse në Kuvend arrin t’i marrë të gjitha votat minoriteve, gjë që e ka thuajse të pamundur.

Burime të lajmi.net, bëjnë të ditur se disa nga minoritet, sidomos ai turk, nuk do e tradhtojnë me asnjë çmim Hashim Thaçin.

Në variantin tjetër, qeveria do të arrinte të jetësohej, nëse në Kuvend do t’i marrë njëkohësisht votat e një pjese të minoriteteve dhe të Vetëvendosjes.

E kjo e fundit, ka qenë e prerë në qëndrimet e saj, se nuk e përkrahë qeverinë Haradinaj, nëse ajo nuk i ndërpret bisedimet me Serbinë dhe implementimin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 të nënshkruar në Bruksel. (lajmi.net)