Isa Mustafa i ka dy fjalë të fundit për këtë vit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në prag të përfundimit të këtij viti, ka folur për gjendjen politike.

Lajme

30/12/2018 17:54

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se ky vit po përfundon me një qeverisje që dështoi në fushat themelore por me një premtim të madh për kumarin dhe kumarxhinjtë, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Mustafa ka shkruar “Qeveria me koncept dokumentin për lojëra e fatit do ta bëjë Kosovën lavatriqe të parave të pista nga droga e prostitucioni; nga fajdeja, tenderët dhe ekonomia informate”.

Tutje Mustafa ka thënë se, në vitin 2019 duhet të jemi gati të mbrojmë familjet tona, fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë nga siç ka thënë ai, vendimet dhe veprimet e papërgjegjshme të kësaj qeverie.

Postimi i plotë i Mustafës pa ndërhyrje:

Qytetarë të nderuar

Ky vit po përfundon me një qeverisje që dështoi në fushat themelore por me një premtim të madh për kumarin dhe kumarxhinjtë.

Qeveria me koncept dokumentin për lojëra e fatit do ta bëjë Kosovën lavatriqe të parave të pista nga droga e prostitucioni; nga fajdeja, tenderët dhe ekonomia informale. Vitin që vjen pritet se në shtëpi do të vijnë burrat me xhepa bosh, pa para me të cilat e provojnë fatin e tyre dhe fëmijët e përlotur të cilët, në vend të ushqimit, afër shkollave të tyre luajnë lojëra të fatit.

Ky është premtim i madh i Qeverisë së madhe me ministra dhe zëvendësministra me aktakuza!

Në vitin 2019 duhet të jemi gati të mbrojmë familjet tona, fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë nga vendimet dhe veprimet e papërgjegjshme të kësaj qeverie.

Por, ne do të ngadhënjejmë!. /Lajmi.net/