Intervistë: Krasniqi premton kredi me 0 interes për bujqit (Video)

Bujqit e Kosovës, nga viti i ardhshëm, do të mund të marrin kredi në bankat komerciale dhe institucionet mikro-financiare, me kamata 0%. Në fakt, nëse gjithçka ecën sipas planeve të ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi, fermerët do të kenë obligim të kthejnë vetëm shumën që e kanë marrë, kurse pjesën e kamatës do ta financojë Qeveria.

Lajme

14/03/2015 13:05

Lajmin e mirë për bujqit e ka bërë të ditur ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, në një intervistë për “Ekonomia Online”, ku thotë se kamatat aktuale, megjithëse janë ulur pak pas krijimit të fondit garantues për kreditë bujqësore, vazhdojnë të jenë të papërballueshme.

“Është fakt i pamohueshëm që niveli i kamatave tek kreditë bujqësore është jashtëzakonisht i lartë, dhe për mendimin tim krejt i paarsyeshëm”, thotë ai.

Krasniqi, i cili ka mbushur 100 ditë në krye të MBPZhR-së, thotë se bujqësia po kthehet në prioritet nacional. Sipas tij, në dy vitet e fundit prodhimi është rritur për 25% dhe lidhet kryesisht me bujqësinë.

Derisa për shumë vite, buxheti për bujqësi ka qenë nën 1%, sivjet me 60 milionë € që janë ndarë për Ministrinë e Bujqësisë, si dhe 8 milionë € që kanë ndarë komunat e Kosovës, Kosova i afrohet shifrës rreth 4.5 %. Por, bazuar në planifikimet në kornizën afatmesme të shpenzimeve, dhe rritjen e fondit për grante dhe subvencione që do të jetë e vazhdueshme nga viti në vit, ministri Krasniqi beson se gjatë këtij mandati do ta kalohet shifra prej 5%.

Në këtë intervistë, ministri i Bujqësisë flet edhe rreth Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2015, skemat mbështetëse për çka janë planifikuar 43 milionë euro dhe shpjegon pse mendon se Kosovës i duhet një “master-plan” për ujitjen e tokave bujqësore.

Ai tregon gjithashtu se çka po bën MBPZhR-ja për të joshur të rinjtë që të merren me bujqësi.

https://vimeo.com/122174056