Intensifikohen bisedimet për Kodin zgjedhor në Maqedoni

Përfaqësuesit e partive më të mëdha politike në Maqedoni kanë dëgjuar sërish rekomandime dhe mendime ekspertësh për krijimin e listës zgjedhore dhe modelit zgjedhor. Pas IFES-it amerikan, para grupit të punës u prezantuan edhe ekspertët e ODIHR-it si dhe organizatat vendase “Most” dhe “Civil”.

Lajme

22/09/2015 20:33

Partitë mbetën gjithsesi me qëndrime të ndryshme, por siç mëson Alsat bisedimet ende nuk kanë hyrë në fazën e vendosjes, por vazhdon shkëmbimi i mendimeve dhe qëndrimeve. Nga ana tjetër, dje dhe sot janë zhvilluar takime edhe për formimin e Komisionit Anketues Parlamentar, që është obligim nga Marrëveshja e Përzhinos.

Edhe pse VMRO dhe LSDM kishin qëndrime të kundërta rreth këtij komisioni, thuhet se është arritur përafrim në këto takime, por nuk zbardhen detaje konkrete. Palët janë optimiste që çështja e Komisionit Anketues të zgjidhet deri nesër.

Afatet e marrëveshjes imponojnë që ai të fillojë punën sa më parë, për shkak se raporti i parë duhet të jetë gati që në muajin nëntor. Prej nesër duhet të fillojnë edhe bisedimet për çështjen e mediave, paralelisht me bisedimet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Çlirimi nga politika e RTVM-së dhe Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale janë çështjet kryesore që trumbetohen nga LSDM-ja opozitare në sferën e mediave./Alsat-M