Inovacioni dhe pabarazia

Ka shumë qasje inovative për shpërndarjen më të barabartë të rritjes ekonomike dhe për punësimin. Dhe këto u filluan jo nga qeveria, por nga sektori privat. Kjo na tregon për një anë të zgjidhjes: efikasiteti i përmirësuar i tregut të punës.

Opinion

16/12/2013 05:05

Kur përfitimet e rritjes ekonomike shpërndahen në mënyrë shumë jo të barabartë, lidhjet shoqërore dëmtohen. Ata që humbin, sidomos të rinjtë, bëhen të pakënaqur, dhe pastaj të mëritur. Ky ishte një faktor kyç prapa kryengritjeve të pranverës arabe; dhe, siç kanë treguar edhe protestat në Kili, Brazil, Izrael, Turqi dhe Indi, po shtohen tensionet shoqërore në botë që burojnë nga pabarazia.

Më saktësisht, ka shekujë që po shtohet në mbarë botën pabarazia në të ardhura. Edhe kur shumë ekonomi në zhvillim apo në rritje kanë nxjerrë miliona njerëz nga varfëria e skajshme, perceptimi ishte gjithnjë i pranishëm që kjo rritje ka nënkuptuar më shumë pabarazi. Por, tani papunësia e vazhdueshme, dhe mungesa e vazhdueshme e punësimit adekuat, po i jep një shtytjeje të re rritjes së pabarazisë, siç ka raportuar OECD’ja në takimin e G-20 në korrik.

Vërtet, në rastin e krizës financiare të vitit 2008, papunësia e të rinjëve ishte mesatarisht 16% në shtetet e përparuara, dhe kalonte 40% në disa vende Europiane.

Si rezultat, sfida e “rritjes përfshirëse” ka depërtuar deri në krye të agjendës globale për politika ekonomike. Vërtet, sipas Përspektivës së Agjendës Globale të Forumit Ekonomik Botëror, rritja e dallimeve në të ardhura do të jetë trendi i dytë më i rëndësishëm në 2014, prapa vetëm tensioneve në Lindjën e Mesme.

Dallimet në të ardhura janë në rritje për shumë arsyeje, nga progresi teknologjik që anon kah aftësia (“skill-biased”) deri te korrupsioni. Por, pavarësisht shkaqeve të saj, mund të ndihmojë shumë punësimi i njerëzve në vende pune produktive dhe të dobishme, dhe kjo kërkon përpjekjet më të mira, në shumë fronte, të qeverive, punëdhënësve, dhe të grupeve të shoqërisë civile.

Së pari, kjo nënkupton që t’u jepet popullatave qasje në shkollim dhe kujdes shëndetësor cilësor: një njeri i shëndetshëm dhe i arsimuar është një punëtor i mirë. Në shumë vende kjo mbetët një sfidë e madhe. Por hapat e mëdha që tashmë janë bërë në disa vende të të ardhurave të vogla tregojnë potencialin e madh.

Merrni shembullin e Brazilit, që kishte një rritje të madhe ekonomike në vitet e 2000’ta, kishte ulje të pabarazisë në të ardhura gjatë të njëjtës periudhë. Një faktor kyç ishte bolsa familia (granti familjar), që tashmë ka dhjetë vjet të përdorimit. Kjo pagesë mujore në të holla u shkon drejtpërdrejt nënave, në rast se ato mbajnë fëmijët e tyre në shkollë dhe i çojnë fëmijët në kontrolla të rregullta mjekësore.

Ky program inovativ nuk është vetëm një investim në kapitalin njerëzor në miliona fëmijë; gjithashtu mundëson që nënat të punojnë. Subvencione të tilla, të dizajnuara mirë për sjellje të përdorshme shoqërore, mund të nxjerrin miliona njerëz nga varfëria.

Por arsimimi dhe shëndetësia janë vetëm hapi i parë. Për arsyeje praktike dhe politike, programe të rishpërndarjes, edhe pse esenciale, nuk mjaftojnë vetëvetiu për të siguruar rritje përfshirëse.

Shpeshherë thuhet, dhe kjo është e arsyeshme, që dallimi në rritje në të ardhura në masë të madhe reflekton ndryshimin teknologjik, e cila ka shterur shumë ekonomi qoftë nga vendet e punës fizike apo edhe nga ato në administratë, njëkohësisht duke kanalizuar frytët e produktivitetit tek elitat shumë të aftësuara. Por revolucioni digjital mund të mundësojë poashtu një rritje përfshirëse. Aplikacionet e internetit dhe avancime të tjera në metoda komunikimi po përhapin dije dhe informacione tek miliona njërëz të varfër.

Merrni shembullin e Babajob.com, e nisur nga një hulumtues i Microsoft’it në Indi me qëllimin që t’u sjell mundësi pune njerëzve në sektorin joformal të vendit duke i lidhur punëdhënësit dhe punëkërkuesit nëpërmjet Web’it, aplikacioneve në mobil, SMS dhe shërbimeve të zërit. Gjithashtu, në Kenia, me përhapjen e telefonave mobilë, operatorët e telefonisë mobile ofruan M-pesa, nëpërmjet së cilës kushdo mund të transferojë para në mënyrë të shpejtë dhe me çmim të ulët – një ndihmesë e madhe në veçanti për ndërmarrjet e vogla.

Të dy këto shembujë – dhe ka shumë të tjerë – u filluan jo nga qeveria, por nga sektori privat. Dhe kjo na tregon për një anë tjetër të zgjidhjes: efikasiteti i përmirësuar i tregut të punës. Në shumë vende me nivele të larta të papunësisë, punëdhënësit nuk mund t’i gjejnë njerëzit me kualifikimet e duhura. Zgjidhja është e dyanshme: të dhëna më të mira për tregun e punës dhe lidhje më të mira në mes të botës së arsimit dhe botës së punës.

Uebfaqet online të specializuara për kërkim të punës po lehtësojnë punësimin. Por një tranzicion i sukseshëm nga shkollimi-në-punë duhet të fillojë kur punëtorët e së nesërmes janë të rinj. Arsimimi në fëmijërinë e hershme është vendimtar por duhet të rezultojë në shkolla të cilësisë së lartë që ofrojnë udhëzime dhe këshilla të bollshme për karrierën. Dëshmia është e qartë; shtetet që investojnë në këto fusha kanë rezultate më të mira se sa shtetet që lëvizin më ngadalë.

Përderisa shumica e shteteve aspirojnë ecjen drejt një “shoqërie të dijes”, kjo nuk duhet të nënkuptojë nënvlerësimin e arsimimit teknik dhe profesional. Përkundrazi, ekonomitë e përparuara kanë nevojë për shumë aftësi, arsim teknik të cilësisë së lartë, dhe në veçanti, nëse kjo ndiqet nga programe efektive të punës praktike, mund të krijojë tranzicione të lehta nga shkollimi në punë. Më të drejtë lavdërohen për këtë Gjermania, Austria, Zvicra, dhe shtete tjera të zhvilluara. Niveli i papunësisë së rinisë në Gjermani është nën 8%, dhe një furnizim i rregullt i fuqisë së aftë punëtore ndihmon që të ruhet suksesi i vendit si eksportues.

Sigurisht që ky model nuk mund të adoptohet në çdo vend – së pari, kjo kërkon një shkallë të lartë të mirëbesimit në mes të fuqisë punëtore dhe menaxhmentit. Por, disa praktika mund të modifikohen për përdorim në ndonjë vend tjetër. Shtetet e G-20 së fundmi kanë adoptuar udhëzime gjithpërfshirëse për praktika pune cilësore; secili vend anëtar duhet të adoptojë strategjinë më të përshtatshme brenda kësaj kornize të gjerë.

Programe të trajnimit virtual, për shembull, lejojnë studentët që të ushtrojnë përdorimin e makinerisë së shtrenjtë duke mos ndërhyrë në vetë prodhimin – dhe pa ndonjë rrezik të dëmtimit të pajisjeve. Ngjashëm, kurse masive e të hapura online (MOOCs), një qasje tjetër për trajnimin që është në rritje e sipër, mundësojnë dërgimin e mësimdhënies së nivelit më të lartë, dhe me një çmim të ulët, tek një publik i gjerë.

Ka shumë qasje inovative për shpërndarjen më të barabartë të rritjes ekonomike, dhe numri i tyre po shtohet çdo ditë. Por, të gjithë ato tregojnë për një të vërtetë thelbësore: në rast se të rinjtë dhe ata me mungesë të mundësive kanë për të gjetur vende pune të mira dhe të dobishme, të gjithë kanë për të luajtur një rol të rëndësishëm – qeveritë, punëdhënësit, institucionet arsimore, dhe grupet e shoqërisë civile. Qëndrueshmëria afatgjate e ekonomive tona varet nga kjo.

Përktheu D.G.

Stefano Scarpetta është Drejtor për Punësim, Punë dhe Çështje Sociale në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

(Të drejtat autoriale: Project Syndicate 2013, www.project-syndicate.orglajmi.net është anëtare e rrjetit të Project Syndicate.) Mund të shkarkohet këtu grafiku i këtij opinioni.