IKD kërkon Prokurori e Gjykatë Speciale për luftimin e krimit e korrupsionit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka prezantuar analizën e politikave dhe ligjeve rreth ndikimit politik në sistemin e drejtësisë, mungesës së rezultateve në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit si dhe për krijimin e një Prokurorie e Gjykate Speciale.

Lajme

29/08/2017 12:14

Betim Musliu, drejtor në IKD, tha se për herë të parë do të shpalosë ide të reja se si mekanizmat institucional dhe sistemin politik duhet të veprojë për të mundësuar në Kosovë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Musliu ka thënë se si zgjidhje më e mirë në luftën kundër korrupsionit do të ishte themelimi i një Prokurorie dhe Gjykate Speciale të pavarur nga politika.

“…duhet të themelohet një Gjykatë Speciale për të luftuar krimin e organizuar dhe e gjithë puna në këtë gjykatë do të duhej të bëhej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Ky model është duke shënuar rezultate konkrete në Maqedoni”.

Sipas tij, korrupsioni i cili ndiqet në Kosovë i takon profilit të ulët dhe të mesëm, në të cilin mbi 60 për qind e rasteve dështojnë, ndërsa në ato pak raste të profilit të lartë që janë ngritur aktakuza në mbi 90 për qind të rasteve prokurorët dështojnë të provojnë ato në gjykata, raporton Ekonomia Online.

“Si rezultat i monitorimit sistematik të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, IKD deri më tash ka dhënë argumente të mjaftueshme, se institucionet në Republikën e Kosovës, sidomos ato të drejtësisë janë ende në kërkim të rrugës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sistemi i drejtësisë vazhdon të vuajë nga ndikimet politike dhe grupet e fuqishme të interesit, të cilat e kanë kapur sistemin e drejtësisë në Kosovë”.

Musliu më tej ka thënë se pavarësia, paanshmëria dhe profesionalizmi në sistemin e drejtësisë janë parime të vendosura mirë në letër, por të pazbatuara në praktikë.