Hyseni: Ngjarjet në Kumanovë nuk kanë lidhje me terrorizëm

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni ka deklaruar në Tiranë, që ngjarjet e para dhjetë ditësh në Kumanovë të Maqedonisë nuk kanë asnjë lidhje me terrorizimin.

Lajme

19/05/2015 15:51

Sipas tij, kushdo që e bënë një krahasim të tillë gabon rëndë.

“Asnjë lidhje nuk mund të tërhiqet, asnjë paralele. Kujtoj është fondamendalisht qasje e gabuar nëse çfarëdo paralele tërhiqet midis terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe ngjarjeve në Maqedoni, dhe absolutisht në Tiranë jemi duke biseduar për mënyrat më efikase të mundshme për të luftuar terrorizmin por ngjarjet në Maqedoni nuk kanë asnjë lidhje me këtë”, tha Skënder Hyseni gjatë pjesëmarrjes në samitin rajonal që po zhvillohet në Shqipëri,për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës kanë marrë masa në mënyrë që të mos ketë importim të trazirave nga Maqedonia në Kosovë dhe po sigurohen që të jenë të përgatitura në rast të tejkalimit të situatës dhe të ardhjes së shqiptarëve të Maqedonisë që mund të kërkojnë strehim në Kosovë.

Më tej ministri tha se Kosova nuk ka informacione të besueshme për numrin e e personave nga Kosova që kanë marrë pjesë në këtë konflikt dhe po ashtu as për numrin e të vrarëve. Ai tha se po ashtu se Maqedonia ka qenë e mangët në informacionin e saktë, pasi informacioni që i është dhënë Ambasadës në Shkup nuk ka qenë i plotë.

Lidhur me masat që ka marrë qeveria e Kosovës për të luftuar terrorizmin ministri tha se Kosova qëndron shumë më mirë se secili vend në Ballkanin Perëndimor, përkundër faktit se nga Kosova ka pasur një numër të madh të luftëtarëve të huaj, sidoqoftë Kosova ia ka dalë që të identifikojë pjesëmarrësit në luftëra të huaja dhe të arrestojë e të ngrejë aktakuza.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht janë mbi 50 aktakuza të ngritura për pjesëmarrjet në luftëra të huaja edhe pse kohë më parë Kosova ka miratuar edhe një ligj të posaçëm për ti ndaluar qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në luftëra jashtë vendit të tyre.