Hoxhaj: Vendet e Ballkanit të dalin me qëndrim të përbashkët për strategjinë e zgjerimi të BE-së

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha gjatë fjalimit në forum rajonal  "Forumi Ekonomik i Tiranës”  th se çdo qeveri në rajon do ta përdorë këtë vit për reforma të thella të brendshme dhe për rritje ekonomike.

Lajme

24/01/2018 13:26

Pritet që në fillim të muajit shkurt Komisioni Evropian mund ta propozojë një strategji të re e cila ka të bëjë me zgjerimin e BE-së në Ballkan. Ky është lajmi më i rëndësishëm që mund të marrë rajoni”, tha Hoxhaj.

Sipas tij, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina do të duhej deri sa të prezantohet kjo strategji ta formësojnë një qëndrim të përbashkët.

Duke folu për sfidat e vendeve të rajonit, Hoxhaj tha: “Rajoni mund të lëvizë me një shpejtësi të re në vitin 2018 e në vijim nëse adresohen tre sfidat historike: Adresimi i çështjes së emrit të Maqedonisë. Nëse Maqedonia dhe Greqia merren vesh për çështjen e emrit rajoni do ta kishte një sfidë më pak; raporti Serbi-Kosovë, mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë dhe pa njohje të ndërsjellë, pa anëtarësim të Kosovës në OKB ne nuk mund të pretendojmë që raportet mes dy vendeve do të jenë normale dhe një sfidë tjetër është Bosnja, e cila vitet e fundit është përballur me sfida serioze të shtetndërtimit ”.

Forumi synonte të mundësonte një platformë diskutimi e propozimesh për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në axhendën globale të zhvillimit.

Ndërsa, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, deklaroi se rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian nuk mund të jetë një proces i shkëputur nga rrugëtimi drejt këtij procesi i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Shqipërisë në fjalën e tij theksoi se presioni në rritje që vjen nga globalizimi është i fortë për të gjithë rajonin dhe sipas tij kjo dikton nevojën për bashkëpunim më të ngushtë dhe krijimin e një zone të përbashkët ekonomike.

“Ekonomia globale ka një dinamikë multipolare e udhëhequr nga disa superfuqi ekonomike dhe disa ekonomi emergjente. Ekonomitë e Ballkanit nuk kanë luksin për t’u angazhuar në gara individuale dhe afatshkurtra me njëra-tjetrën për dominancë tregu apo atraktivitet investimesh të huaja. Strategjia më e zgjuar dhe afatgjatë do të ishte krijimi i sinergjisë mes vendeve tona për të hartuar një platformë të unifikuar të investimeve strategjike, ku gjithë rajoni të shikohej si një i vetëm për biznesin e korporatave multinacionale, apo për projekte madhore me impakt rajonal”, tha Meta.