Hoxhaj takon kryetarin e Ulqinit, premton mbështetjen e qeverisë për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur në takim kryetarin e komunës së Ulqinit, Nazif Cungun, të cilin e ka falënderuar për kontributin e shqiptarëve të Malit të Zi, si faktor stabilizimi atje dhe mbështetës i palëkundur i integrimit të këtij shteti në NATO.

Lajme

16/01/2018 17:37

Hoxhaj i ka premtuar kryetarit Cungu edhe mbështetjen e qeverisë së Kosovës, për realizimin e projektit të rrugës Deçan – Plavë në një të ardhme të afërt.

Ai e ka përgëzuar Cungun për arritjet që kanë realizuar viteve të fundit, siç është formimi i Komunës së Tuzit, miratimi i planit hapësinor të Ulqinit, si dhe projekti i hapjes së pikave të reja kufitare.

Ndër tema të tjera, të dy palët kanë folur për turizmin në Ulqin, dhe mikpritjen që u bëhet vizitorëve kosovarë.

“Fola për mikpritjen që iu bëhet në Ulqin vizitorëve nga Kosova dhe për faktin që viteve të fundit infrastruktura është përmirësuar ndjeshëm dhe përgatitjet për sezonin turistik kanë qenë edhe më të suksesshme”, ka shkruar Hoxha.