Hoxhaj njofton diplomatët evropianë: Serbia po nxit konflikte, Kosova do t’i përgjigjet çdo provokimi

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vazhduar me takimet informuese me vendet mbështetëse, ku ka takuar mbi 16 diplomatë të Bashkimit Evropian dhe të rajonit, të akredituar në Kosovë, për t’i informuar në lidhje me provokimet e reja të Serbisë në raport me Kosovën.

Lajme

16/01/2017 19:00

Hoxhaj tha se me veprimet e fundit në raport me Kosovën, Serbia ka treguar se dëshiron të nisë konflikte të reja, njofton një komunikatë nga MPJ.

Ai theksoi se Kosova do t’i përgjigjet çfarëdo provokimi duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial e shtetëror të saj.

“Veprimet e Serbisë në raport me Kosovën, kanë treguar se Serbia dëshiron të nisë konflikte të reja. Mirëpo, kurdo që të kemi provokime të reja, Kosova është e gatshme të përgjigjet në mënyrë shtetërore duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”, citohet të ketë thënë Hoxhaj gjatë takimit.

Çështja e trenit ilegal, arrestimi i Haradinajt dhe deklaratat nacionaliste të liderëve serbë, sipas Hoxhajt, janë pjesë e një game në rritje të provokimeve, të Serbisë ndaj Kosovës. Ndërkohë, Hoxhaj theksoi se institucionet e Kosovës janë të shqetësuara për situatën në veri të vendit.

Hoxhaj ka takuar edhe shefin e UNMIK’ut dhe shefin e OSBE-së në Kosovë, në një takim të ndarë.