Hoxhaj i përgjigjet FRM-së: Shpejt do ta merrni përgjigjen e duhur

Ministri në detyrë për Punë të Jashtme ka thënë se kërcënimet e Forumit të të Rinjve Myslimanë (FRM) për arrestimin e tij nuk e frikësojnë dhe se ithtarët e kësaj rryme radikale shpejt do ta marrin përgjigjen pas miratimit të Ligjit mbi terrorizmin në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

12/08/2014 23:42

Hoxhaj ka thënë se ithtarët ideologjik; të FRM-së do të marrin përgjigje shumë shpejt, pasi që institucionet e Kosovës të miratojnë Ligjin për terrorizmin.

“Kërcënimet e të ashtuquajturit Forumi i të Rinjve Myslimanë dhe ithtarëve të tij janë të shpeshta në vitet e fundit dhe ofenduese në drejtim të personalitetit tim. Lajmin më të mirë ky i ashtuquajturi Forum dhe ithtarët ideologjikë të tyre do ta marrin së shpejti përmes miratimit të Ligjit për terrorizmin në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës’.

“Ky është edhe përkushtim i shtetit tonë për ta luftuar këtë të keqe përkrah vendeve aleate dhe partnere. Asnjëherë nuk jam dorëzuar përball kërcënimeve të tilla dhe do të vazhdoj përkushtimin tim si politikan dhe qytetar për një shtet laik dhe të së drejtës, që ka orientim vlerat euro-atlantike”.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj e ka quajtur aksionin policor të së hënës si “të drejtë” dhe ka thënë se ai në vazhdimësi ka mbrojtur interesin shtetëror dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë.

“Aksioni policor i së hënës për arrestimin e dhjetëra të dyshuarve për terrorizëm ka qenë i drejt dhe në shërbim të ruajtjes së sigurisë të qytetarëve të Kosovës.”

“Në vazhdimësi kam mbrojtur interesin shtetëror të Kosovës, duke u pozicionuar qartë për temën e radikalizmit fetar që nga vendimi si i ish-ministër i Arsimit për ndalimin e bartjes së shamisë në shkolla, parandalimin e mësimit fetar në shkolla dhe qëndrimin e hershëm për ta mbështetur një pako ligjore që e sanksionon pjesëmarrjen në luftëra jashtë Kosovës. Mbetem i palëkundur në përkushtimin tim për shtetin evropian dhe laik të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.