Hoxhaj akuzon Serbinë për sulmin në veri

Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, thotë se faji për cenimin e procesit zgjedhor në veri të Mitrovicës nuk mund t’u lihet vetëm huliganëve.

Lajme

11/11/2013 09:19

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, thotë se sulmi në qendrat e votimit në Veriun e Mitrovicës ka qenë i planifikuar.

Sipas tij, faji për cenimin e procesit zgjedhor në veri të Mitrovicës nuk mund t’u lihet vetëm huliganëve.

“Në komunën e Mitrovicës veriore, përkatësisht në shkollën “Sveti Sava” sulmi ka qenë i planifikuar, i organizuar dhe njerëzit të cilët kanë shkatërruar materialin zgjedhor dhe ata që i kanë kërcënuae komisionerët, vëzhguesit vendor dhe ndërkombëtare kanë qenë njerëz shumë profesionistë”.

“Padyshim që nuk mund t’u lihet vetëm huliganëve të caktuar dhe unë mendoj që mbrapa një akti të tillë qëndrojnë struktura të shtetit serb”, ka thënë Hoxhaj për ‘Koha Ditore”.