Hoti nuk jep afate kohore për heqjen e vizave e formimin e Ushtrisë

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK, AKR dhe Alternativa, Avdullah Hoti ka thënë se në Qeverinë Mustafa janë krijuar 40 mijë vende të punës.

Lajme

27/05/2017 10:52

Ai poashtu ka thënë se Kosova gjatë kësaj kohe është orientuar nga Perëndimi.

Hoti ka thënë se duhet të ndalet krimi dhe korrupsioni në Kosovë derisa ka  shtuar se nuk jep afate as për heqjen e vizave e as për krijimin e Ushtrisë së Kosovës nëse ai zgjedhet kryeministër.

Por sipas tij, ndonëse nuk jep afate, ai siguron se do të bëhen të dyjat.

“Ne kemi krijuar financa stabile si një nga kushtet themelore për krijimin e ushtrisë. Jemi partneri i vetëm serioz i aleatëve tanë euroatlantikë dhe asnjëherë nuk e kemi lëkundur këtë partneritet që nga koha e Presidentit Rugova”, ka thënë Hoti.

Kandidati i LDK-së për kryeministër ka thënë se Qeveria e kaluar është penguan ta krijojë ushtrinë nga disa politikanë, të cilët për interesa personale dhe për protagonizëm e lëkundën partneritetin tonë me aleatët tanë.

Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Hoti ka thënë se Qeveria Mustafa ka plotësuar 94 nga 95 kriteret për liberalizimin e vizave, duke përfshirë edhe luftën e pakompromis kundër korrupsionit.

“Vetëm një qeveri e përgjegjshme, partnere e denjë e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, siç do të jetë Qeveria jonë, mund të plotësojë kriteret për liberalizimin e vizave”, ka thënë Hoti gjatë bashkëbisedimit me strukturat e LDK-së në Ferizaj.

Nikoqiri i këtij takimi, kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ka thënë se komuna jonë ka më së shumti arsye për ta përkrahur kryeministrin e ardhshëm, Avdullah Hoti. “Qytetarët e Ferizajt, kanë më së shumti arsye që t’i besojmë dhe ta përkrahin Doktor Hotin për shkak se ai ka dëshmuar me punën e tij si ministër i Financave, kujdesin e madh ndaj qytetarëve të komunës sonë dhe gjithë Kosovës”, ka thënë Sfarqa.

Ai ka shtuar se Hoti dhe Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa kanë mundësuar realizimin e dhjetëra projekteve në Ferizaj dhe gjithë Kosovën, të cilat vlerësohen lartë nga gjithë qytetarët./Lajmi.net/