Hoti-Hoxhajt: Po e dëmtoni besimin në mes pozitës dhe opozitës

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti akuzat e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj se opozita kosovare të mërkurën i ka thënë jo liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, i ka cilësuar si naive dhe të pabazuara.

Lajme

26/09/2018 22:26

Hoti këto komente i ka bërë në profilin e tij në Facebook.

“Akuza naive dhe e pa bazuar e zëvendëskryeministrit Hoxhaj dëmton rëndë besimin në mes të pozitës dhe opozitës në të vetmen çështje në të cilën ne kemi dhënë përkrahje pa rezervë”, ka theksuar Hoti.

Ai më tutje ka thënë në takimin e sotëm me përfaqësuesit e të gjitha vendeve të BE-së, i ka siguruar se LDK-ja  sipas tij, e mbështet fuqishëm agjendën euro-integruese të Kosovës.

“Si opozitë kemi mbështetur reformat dhe marrëveshjet në mes të Kosovës dhe BE-së që burojnë nga MSA-ja. Ne si opozitë kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për marrëveshjet që burojnë nga MSA dhe i kemi votuar të gjitha”, ka shkruar Hoti.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Hotit:

Në takimin e sotëm me përfaqësuesit e të gjitha vendeve të BE-së, i kam siguruar se LDK-ja e mbështet fuqishëm agjendën euro-integruese të Kosovës. Si opozitë kemi mbështetur reformat dhe marrëveshjet në mes të Kosovës dhe BE-së që burojnë nga MSA-ja. Ne si opozitë kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për marrëveshjet që burojnë nga MSA dhe i kemi votuar të gjitha.

I falënderova për mbështetjen në Parlamentin Evropian pro liberalizimit të vizave dhe kërkova që sa më parë të përmbyllet kjo çështje edhe në Këshillin e Ministrave, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbesin të vetmit në Ballkan që nuk mund të lëvizin lirshëm.

Për temën e dialogut me Serbinë, kërkova që të respektojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, shprehur përmes të gjithë përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës, se tërësia territoriale e Kosovës është e pacenueshme dhe nuk mund të jetë pjesë e dialogut. Dialogu mbetet i vetmi mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe gjuha nxitëse duhet të dënohet.

Akuza naive dhe e pa bazuar e zv.Kryeministrit Hoxhaj dëmton rëndë besimin në mes të pozitës dhe opozitës në të vetmen çështje në të cilën ne kemi dhënë përkrahje pa rezervë.