Historia e vrasjes së Doshit nisi nga Mark Frroku

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur për Kuvendin hetimet që ka kryer për çështjen Doshi, duke zbuluar pjesë të panjohura deri më tani të kësaj historie dhe duke hedhur dritë mbi versione të ndryshme të publikuara në media.

Lajme

22/03/2015 19:04

Në relacionin dërguar Kuvendit, Prokuroria thotë se nga hetimet e kryera që prej 3 marsit, ka faktuar se ka qenë Deputeti Mark Frroku ai që e ka vënë në dijeni Tom Doshin se ndaj tij ka patur një plan për ta eliminuar fizikisht.

Nga veprimet e deritanishme hetimore të kryera në interes të këtij procedimi penal ka rezultuar se: “Në muajin gusht të vitit 2014, shtetasi Tom Doshi është vënë në dijeni nga Deputeti Mark Frroku, se ndaj tij po organizohej një vrasje. Për të realizuar vrasjen, një shtetasi (i identifikuar më vonë me emrin Durim Bami) i ishte ofruar një shumë prej 500.000 euro. Sipas deklarimeve të shtetasit Tom Doshi, ka qenë Deputeti Mark Frroku që e ka prezantuar me shtetasin Durim Bami, i cili nga ana e tij, pas njohjes me Deputetin Tom Doshi, i kishte thënë se vrasjen po e organizonte Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z.Ilir Meta. Gjithashtu i është thënë se për të realizuar eliminimin fizik të tij, ky i fundit kishte angazhuar një shtetas me emrin Fajton Skënderi, (i cili ka dhe një lokal në bllok të quajtur “Viva”), si dhe shtetasin Rezart Skënderaj, i cili ishte personi që e kishte ndjekur disa herë Deputetin Tom Doshi”.

Prokuroria thotë se Mark Frroku e ka mohuar këtë version dhe se ka patur njohje me Durim Bamin. Edhe Bami ka mohuar njohjen me Frrokun. Por Prokuroria ka provuar përmes hetimit të kundërtën.

“Nga veprimet hetimore të mësipërme, pavarësisht qëndrimit mohues që mban shtetasi Mark Frroku në lidhje me faktin, ka rezultuar e provuar se shtetasi Mark Frroku është ai që ka informuar i pari shtetasin Tom Doshi se është vënë në dispozicion një shumë e konsiderueshme parash për persona të caktuar, të cilët po organizojnë eliminimin fizik të tij. Gjithashtu, shtetasi Mark Frroku ka bërë njohjen e shtetasit Tom Doshi me shtetasin Durim Bami, i prezantuar si personi i caktuar për të bërë ekzekutimin”.

“Analiza e komunikimeve telefonike hedh dritë edhe për shumë lidhje të përbashkëta midis shtetasit Durim Bami dhe shtetasit Mark Froku, çka hedh poshtë pretendimin e shtetasit Mark Frroku për mos njohjen e shtetasit Durim Bami”.

“Nga deklarimet si persona që tregojnë rrethana të hetimit, shtetasit Dorian Xh., Agim P. dhe Flori H., punonjës të restorant “Antika” në zonën e “Shallvareve”, Tiranë, rezulton se ata e kanë parë shtetasin e dyshuar Durim Bami të qëndronte së bashku me shtetasit Mark Frroku dhe Tom Doshi në restorantin ku ata punojnë. Në dijeninë e tyre, shtetasit Mark Frroku dhe Durim Bami janë takuar sëbashku dhe gjithmonë në prezencën e shtetasit Tom Doshi”.

“Nga aktet e administruara rezulton se më datë 11.09.2014, shtetasi Durim Bami është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, me automjetin tip “Audi” me targa “AA 600 JP” (i blinduar), i cili figuron në pronësi të shtetasit Mark Frroku”.

“ Po ashtu, shtetasi Angjelin O. ka shpjeguar se herën e fundit që e ka parë Durim Bamin në prani të Mark Frrokut dhe Tom Doshit, ka qenë nga fundi i muajit Shkurt 2015, në ambientet e Hotel “Sheraton”, disa ditë para se kjo ngjarje të bëhej publike. Ai shpjegon se pasi i dyshuari Durim Bami ka hyrë në hollin e këtij hoteli ka takuar dy deputetët, Mark Frroku dhe Tom Doshi”.

Prokuroria thotë se edhe pamjet filmike ku Fatjon Skënderi, që sipas Doshit ka qenë porositësi i vrasjes për llogari të Kryetarit të Kuvendit, jane xhiruar nga Mark Frroku.

“Këto pamje filmike, Tom Doshit ia ka kopjuar sëbashku me disa të dhëna të aktivitetit të biznesit të shtetasit Mark Frroku, me anën e së cilës provon faktin se pikërisht ky është personi që ka iniciuar historinë e vrasjes së tij”.

Sipas Prokurorisë, gjithçka ka qenë e sajuar nga Mark Frroku, i cili me pas, bashkë me Tom Doshin kane kërcënuar Durim Bamin për të thënë para kameras se ishte paguar për llogari të Ilir Metës të vriste Doshin e Mhill Fufin.

“Nga të dhënat e hetimit të deritanishëm, provat që ka në dispozicion organi procedues, ka dyshime të arsyeshme që shtetasi Mark Frroku ka iniciuar krijimin e rrethanave të rreme për ekzistencën e veprës penale dhe ka bashkëpunuar me shtetasit Tom Doshi dhe Durim Bami, për të bërë të besueshëm një fakt të tillë”.

“Nga të dhënat e hetimit janë krijuar dyshime të arsyeshme se deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku, bazuar në pozicionin e tyre publik dhe kapitalit financiar që disponojnë, dyshohet se kanë kanosur shtetasin Durim Bami për të bërë deklarim të rremë”.

Mbi bazën e këtyre konkluzioneve Prokuroria kërkoi nga Kuvendi që të autorizojë arrestimin e dy deputetëve, nën akuzën për “kallëzim të rremë”.