Haxhiu përplaset me deputetët për kopjet kadastrale nga Serbia (Video)

Komisioni për Legjislacion, pas një debati të gjatë, janë dakorduar që Projektligji për Agjencinë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës t'i shkojë për lexim të parë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

24/03/2015 13:40

Kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu ishte ajo që kundërshtoi fuqishëm themelimin e një agjencie të tillë, duke thënë se përgjegjësinë eksluzive e bartë Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.

Sipas saj, me këtë po shkelen ligjet dhe Kushtetuta. Ajo ka renditur disa prej shkeljeve që ajo konsideron që bëhen me themelimin e një agjencie, por dhe miratimin e një projektligji të tillë.

“Siç e keni parë, përmes këtij projektligji po tentohet të themelohet një agjenci e cila edhe formalisht do të jetë në kontroll të plotë të Përfaqësuesit Special të BE-së. Projektligji derivon nga marrëveshja për kthimin e kopjeve kadastrale dhe synon themelimin e një agjencie që shumë më tepër është ndërkombëtarë dhe jo vetëm në përbërje, por edhe në bazën juridike të funksionimit, të financimit të veçantë, vendimmarrje jashtë sistemit juridik të Kosovës. Kjo është në kundërshtim të plotë të Kushtetutës dhe ligjet e aplikueshme”.

“Për më tepër, nëse ndodhë që kjo të miratohet, sikurse ka ndodhur edhe me marrëveshjen me Serbinë që kemi marrë kopjet në vend të dokumentacionit origjinal kadastral, Kuvendi po legalizon aktin e vjedhjes dhe plaçkitjes së dokumenteve të Kosovës dhe të pronave të Kosovës”.

“E para është përbërja e bordit prej pesë anëtarësh ku tre emërohen nga përfaqësuesi i BE-së. E dyta është financimi, respektivisht kompensimi financiar nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë anëtarët e bordit. Pastaj lihet e paqartë se çka ndodhë me rastet kur mbesin të paqarta në mes të kopjeve kadastrale nga Serbia dhe dokumenteve kadastrale të Kosovës”.

“Konsideroj që është e paprecedent që një shtet të mos ketë regjistrin e vet të evoluimit të transaksioneve pronësore. Me këtë aranzhim të kompletimit të regjistrit kadastral, shqiptarët rrezikojnë që prapë tu merren pronat të cilat i kanë blerë më shumë se disa herë”.

Anëtari nga LDK-ja, Armend Zemaj ka thënë se komisioni dhe as Kuvendi nuk duhet të bëhet pengesë e projektligjit. Ai ka propozuar që të ftohet Edita Tahiri të jap sqarime për aspektin juridik të këtij projektligji.

“Prona shoqërore është keqpërdorur nga individë dhe ne kemi nevojë që tash t’i krahasojmë dokumentet sepse është në të mirë të qytetarëve që, sa më shpejt ky dokumentacion të jetë i pranishëm këtu. Kjo agjenci e cila e ka mandatin e përkohshëm (18 muaj) të arrijë që brenda kësaj periudhe t’i përmbyllë këto 12 mijë lëndë dhe qytetarët e vendit të mos kenë më probleme sa i përket të kaluarës së pronës së tyre”.

“Tash, te baza ligjore dhe Kushtetuese po propozoj që ta ftoni edhe Edita Tahirin për një shpjegim më të detajizuar, pasi që ky është ligj është i rëndësisë së veçantë. Mendoj se duhet një analizë më fleksibile për këtë çështje, dhe ne, Komisioni, të mos bëhemi pengesë para bashkësisë ndërkombëtare apo të jemi një lloj penguesi i këtyre marrëveshjeve”, tha Zemaj.

Përveç Haxhiut, të gjithë anëtarët e tjerë të komisionit ishin pro që ky projektligj të procedohet në Kuvend.

Haxhiu hodhi në votim dy propozimet e para që të ftohet Edita Tahiri dhe një përfaqësues nga Qeveria për të arsyetuar aspektin juridik, por ky, përveç saj, nuk morri aprovimin e anëtarëve tjerë të këtij komisioni.

“Kërkoj që për një javë të shtyhet dhe ta ftojmë Edita Tahirin si dhe një përfaqësues të Qeverisë apo të zyrës së kryeministrit. Ne duhet t’i mbajmë përgjegjës edhe ata që kanë lidhur këtë marrëveshje, dhe për t’u njoftuar me arsyen se pse sillet ky projektligj kaq i dëmshëm në këtë kuvend. Është dashur që pala kosovare të insistojë të marrë dokumentet origjinale”.

Ndërkaq, të gjithë anëtarët e tjerë të Komisionit votuan që ky projektligj, kështu siç është, t’i shkojë Kuvendit. Ndërsa i menjëhershëm ishte reagimi i Haxhiut e cila e cilësoi si të turpshëm një votim të tillë.

“Atëherë merrni përgjegjësi ju si përfaqësues të popullit për këto dëme që po iu sillni qytetarëve të Kosovës”.

“Është thjeshtë e turpshme se çfarë vendimesh po merrni”, tha ajo.

E për cilësime të tilla të Haxhiut, Agim Aliu tha se një veprim i tillë nuk është në rregull.

“Mendoj që duke folur marrim përgjegjësi. Nuk është mirë që pas çdo marrje të përgjegjësisë, të bëni një kualifikim se çfarë vendimi kemi marrë”, tha ai.

Edhe anëtari i Komisionit Nezir Çoçaj nga PDK e quajti si “fyes” kualifikimin e kryetares Haxhiu. (lajmi.net)

YouTube player