Havolli: Papërgjegjësia e Komunës së Prishtinës i la agropërpunuesit pa grante

Këshilltari për ekonomi i kryeministrit Isa Mustafa, Sokol Havolli, ka kritikuar Komunën e Prishtinës në lidhje grantet për bujqësi.

Lajme

09/01/2017 20:59

Përmes një postimi në Facebook, Havolli thotë të ketë biseduar me disa agropërpunues nga Komuna e Lipjanit të cilët i kanë thënë se janë shumë të kënaqur me angazhimin e kësaj komune në përkrahje me dokumente administrative, ndërsa thekson se nën anën tjetër, për shkak të papërgjegjësisë së Komunës së Prishtinës, agropërpunuesit e kryeqytetit kanë humbur grante dhe përkrahje të ndryshme financiare.

Ky është postimi i Havollit:

Në një bisedë të rastësishme me disa agropërpunues treguan se ata që kanë fatin të kenë arat e tyre në Komunën e Lipjanit dhe Komunat tjera të rrethit, kanë investuar 1-2 milionë Euro në plantazhe. Kjo falë angazhimit dhe mbështetjes së Komunës së Lipjanit në përkrahje me dokumente administrative.

Në anën tjetër, për shkak të vonesave në përgjigje (pra papërgjegjshmëri) nga Komuna e Prishtinës, agropërpunuesit që operojnë në territorin e kryeqytetit, kanë humbur grante dhe përkrahje të ndryshme financiare në vlerë milionëshe, dhe dhjetëra vende pune.