Hasani: Një pjesë e madhe e PDK-së është kundër Demarkacionit (Video)

​Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka thënë se nuk mjafton vetëm shkarkimi i Komisionit për Demarkacion, por se duhet edhe Kryeministri Isa Mustafa të japë përgjegjësi e dorëheqje.

Lajme

22/06/2016 21:52

Hasani ka thënë se ka qenë kundër Bashkimit Evropian si EULEX, i cili nuk ka sjellë rezultate në drejtësi, por sipas tij është dashur të votohet, ngase drejtësia në Kosovë ende lë për të dëshiruar.

Ai ka thënë se ka pasur raste kur kryetari i Gjykatës së Apelit zihet në flagrancë, duke marrë mitë dhe në skena të ndjeshme të tjera.

Ai ka thënë se janë 400 mijë lëndë që janë të pazgjidhura, dhe ka interferime politike.

Sipas tij, vendi duhet të ketë zgjedhje çdo dy vjet, për t’i dhënë mundësinë secilës parti, duke shtuar se në momentin që kanë stabilitet duhet të rrëzohen.

Hasani ka shprehur dyshimin se deri në fund të vitit do të hiqen vizat, duke thënë se qytetarët e kanë humbur shpresën tashmë edhe për viza.

Anëtari i PDK’së ka thënë në televizionin Rrokum se shkuarja në zgjedhje e zgjidh edhe çështjen për vizat, demarkacionin dhe asociacionin.

Ai ka thënë se nuk ka ardhur ende Demarkacioni në Kuvend, dhe se në momentin që vjen ata do ta analizojnë dhe do të marrin një qëndrim.

“Ende s’kemi qëndrim për Demarkacionin, por një pjesë e madhe e PDK’së janë kundër kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Hasani, duke shtuar se i beson shkencës dhe ekspertizës shkencore, e cila ka konstatuar se vendi humb shumë me këtë marrëveshje.

Duke folur për Asociacionin serb, Hasani ka thënë se po formohet një asociacion i cili është vendimmarrës dhe kështu po dëmtohet shteti.

Ai ka thënë se nuk e ka votuar dhe nuk do ta votojë një rast të tillë.

Hasani ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk mund të fitojnë liberalizimin e vizave të kushtëzuar me Demarkacion, ngase me një marrëveshje të tillë, vendi do të mbetet i poshtëruar tërë jetën dhe këto viza nuk i duhen qytetarëve në këtë formë.

YouTube player