Haradinaj: Thaçi President, vetëm sa e thellon krizën (Video)

Haradinaj, që është kreu i njërës nga tri partitë opozitare në vend, tha në forumin “Fol Hapur”, të organizuar nga Lëvizja ‘Fol’, se kandidati për President, Hashim Thaçi, është njëri që i ka kontribuar thëllimit të krizës politike.

Lajme

12/02/2016 11:55

Gazi lotsjellës dhe metodat e tjera të Opozitës  për të bllokuar punimet e seancave të Kuvendit të Kosovës, që janë parë në seancat e kaluara, pritet të  shihen edhe në seancat e tjera. Madje edhe në atë të zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Ky është paralajmërimi që jep Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Haradinaj, që është kreu i njërës nga tri partitë opozitare në vend,  tha në forumin “Fol Hapur”, të  organizuar nga Lëvizja ‘Fol’, se kandidati për President, Hashim Thaçi,  është njëri që i ka kontribuar thëllimit të krizës politike.

“Zgjedhja për President,   vetëm sa do ta thellojë atë krizë”, tha Haradinaj,  raporton lajmi.net.

“Kur kemi filluar kundërshtimin e dy marrëveshjeve nuk kemi menduar që  kjo situatë do të vazhdojë deri në kohen e zgjedhjes së Presidentit”, tha ai.

“Momenti i tashëm i zgjedhjes së Thaçit President, nuk përkon me kohën që të gjithë të ishim të bashkuar për zgjedhjen e të parit të vendit”, tha Haradinaj.  “Tani jemi në një kohë kur kandidati për President është kontribuues i kësaj krize”.

Kryetari i AAK-së deklaroi se gjithashtu e kundërshton  zgjedhjen  e Presidentit në sallën alternative.

“Sepse kundërshtimi do të vazhdojë me metodat e njëjta, dhe kjo nuk e zgjidh krizën”, deklaroi Haradinaj, raporton lajmi.net.

Ai foli edhe për protestën e 17 shkurtit, të  cilën e quajti si “Dita e ballafaqimit” ku është shprehur se nuk ka mundësi pas kësaj ditë të mos ketë reflektim nga ana e Qeverisë.

Haradinaj tha se më së miri do të ishte që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli. /lajmi.net

YouTube player