Haradinaj: Pres që t’i kthehet reciprocitet i plotë Serbisë

Në seancën e jashtëzakonshme e cila po mbahet në lidhje me dështimet e Kosovës në politikën e jashtme, ka folur edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj.

Lajme

22/11/2018 16:50

Ai është shprehur se përgjegjësia e këtyre dështimeve iu shkon institucioneve të vendit dhe një njeri i vetëm nuk mund të jetë fajtor për të gjitha dështimet, transmeton lajmi.net.

“Nuk mund ta kryqëzojmë Behgjet Pacollin se paska fajet për gjithçka, Serbia ka miq shtete të fuqishme si Rusinë e Kinen, ne duhet të punojmë që vitin tjetër të jemi anëtarë”, ka thënë Haradinaj.

Gjithashtu ai ka kritikuar edhe deputetët e tjerë të cilët thotë se kanë qenë anëtarë të komisioneve dhe janë paguar nga buxheti i shtetit të Kosovës.

“Një detaj që nuk u përmend nga kolegët e mi deputetë, shumë prej tyre kanë qenë anëtarë të komisioneve të ndryshme dhe janë pagu nga buxheti i Kosovës, përgjegjësia sigurisht që iu shkon institucioneve”, ka vazhduar Haradinaj.

Ai gjithashtu ka shtuar se pret reciprocitet të plotë si në targa, diploma dhe në të gjitha sferat.

“Prej që t’i kthehet reciprocitet Serbisë në targa, diploma dhe në të gjitha sferat, delegacioni i Kosovës është kthy në kufi, klubi i hendbollit nuk është leju të luaj etj”, ka thënë ai.

Duke folur për kërcënimet e opozitës se qeveria mund të rrëzohet me votat e Listës Serbe, ai është shprehur se nuk ka rëndësi, edhe Isa Mustafa u zgjedh me Listën Serbe dhe nuk ka rëndësi nëse qeveria rrëzohet me Listën Serbe.

“Edhe Isa Mustafa u zgjedh me Listën Serbe, rrëzone qeverinë edhe me Listën Serbe, nuk ka lidhje”, ka përfunduar Haradinaj. /Lajmi.net/