Haradinaj: Malta,vend mik i Kosovës

Malta është një nga vendet mike të Kosovës dhe ne kemi zhvilluar gjithmonë raporte korrekte me këtë vend. Ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe Kosova është e përkushtuar që të avancojë me raportet e ndërsjella në të gjitha fushat.

Lajme

19/10/2018 11:18

Kështu ka thënë kryeministri, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim ambasadorin e Maltës, jorezident në Kosovë, Godwin Pulis.

Ai e njoftoi Ambasadorin Pulis me progresin e arritur në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik, integrimet evropiane, si dhe fuqizimin në rend dhe ligj.

Duke e falënderuar për kontributin e Maltës dhënë për shtetndërtimin e Kosovës në të gjitha fazat e saj, Haradinaj, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral me këtë shtet mik edhe më tutje, duke u fokusuar më shumë në bashkëpunim në fushën e arsimit dhe në fuqizimin e partneritetit ekonomik mes dyja vendeve.

Kreu i Qeverisë  kërkoi nga Pulis mbështetjen e vendit të tij në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Ambasadori Godwin Pulis, shprehu përkrahjen e vendit të tij për Kosovën si dhe përkushtimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe Zëvendëskryeministri njëherësh ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli.