Haradinaj, LDK-së: Po punoni kundër liberalizimit të vizave

Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës po punon kundër liberalizimit të vizave.

Lajme

19/05/2018 23:00

I plotësuar (23:00) –  Ndërkohë Haradinaj kërkesat për zgjedhje të reja nga zyrtarë të kësaj partie i quan pjesë e garës për të parin e kësaj partie.

“Në LDK është hapë një garë për kryetar të LDK-së dhe tani ata po mundohen me gjet armiq me gjet tema”.

Ai beson se kjo parti po çon mesazhe të këqija për Kosovën në Europë sa i përket liberalizimit të vizave.

“Mirë është me u fokusu, me i ndihmu qeverinë në këtë rast për liberalizim të vizave. Mirë është nga LDK’ja mos me gabu me ndonjë porosi që e çojnë te Partitë Popullore a diku. Mos me çu porosi të gabuara që mos me na u aprovu liberalizimi i vizave. Nuk është mirë me dhënë skepticizëm që p.sh: nëse ndodh liberalizimi kish me pasë refugjatë. Nuk është kështu, nuk do të ketë refugjatë”, shpjegoi Haradinaj në emisionin ‘Debat’ në RTK1.

“Kaniher e kam përshtypjen që pas takimeve me zyrtar të PPE’së nuk janë nda të bindur që e meritojmë liberalizimin. E kam një frikë që një pjesë e opozitës është kah bon kundër liberalizimit të vizave. Nuk është mirë. Pikërisht mendoj te LDK’ja. I lus mos të bëjnë kësi gabimesh”.

Haradinaj i bindur: Asociacioni sipas ligjeve të Kosovës

(22: 22) –  Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe do të formohet sipas ligjeve të Kosovës.

“I kemi dëgjuar edhe zyrtarët e BE-së se Asociacioni bëhet në përputhje me ligjet e Kosovës”.

Shefi i ekzekutivit thekson se njohja nga Serbia dhe Asociacioni janë çështje të ndara.

“Këto janë të ndara. E para ndodh në Kosovë nga Kosova. Asociacioni është vepër e Kosovës në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e Kosovës se ashtu e parasheh edhe marrëveshja”, ka thënë Haradinaj në emisionin ‘Debat’ në RTK.

“Çështja e njohjes reciproke është çështje dypalëshe në këtë rast. Edhe Asociacioni buron nga dialogu mirëpo prapë se prapë është çështje që ndodh vetëm në Kosovë”.

“Krijimi dhe zbatimi është në Kosovë ndërsa njohja reciproke na implikon ne, Serbinë dhe palët tjera”.