Haradinaj: Kam qenë ndër ushtarët më të zot, nuk i frikësohem Speciales

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, derisa ka folur për iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ka thënë se ajo nuk i bën nder Kosovës.

Lajme

27/12/2017 18:37

“Themelimi i Gjykatës Speciale ka qenë fitore e Rusisë. Me gjykimin e disa individëve nuk sillet drejtësi në Kosovë. AAK nuk ndërron qëndrim, kemi qenë kundër dhe kundër do të jemi”.

“Ka qenë e gabueshme kur është pranuar. Nëse tenton dikush t’i jap kahje individuale është shumë gabim”, ka thënë ai për Klan Kosova.

Haradinaj më tej ka thënë se nuk e ka hall personal këtë gjykatë.

“Kam qenë prej ushtarëve më të zot në Kosovë dhe nuk më tremb gjykata”, është shprehur ai.

“Kemi pas gjykata të Hagës, UNMIK-ut, EULEX DHE  gjithë ky mekanizëm janë shkarkuar në Gjykatën Speciale dhe këta tash po na bëkan drejtësi?”.

“Serbia e paska hetuar luftën tonë të UCK-së. Para disa orëve ministrja e drejtësisë së Serbisë ka thënë se kanë dërguar dosje, por ato nuk janë kredibile, ka raste të panumërta që kanë dërguar për Fatmir Limajn dhe Ramush Haradinajn dhe në fund ka dalë dy herë i pafajshëm”.

“Prej Serbisë të presim të sillen prova kredibile dhe mbi ato po veprohet si raportin e Dick Marty”.

Haradinaj ka thënë se Gjykata Speciale nuk i bën nder Kosovës.

“Përkundrazi e turpëron Kosovën. Edhe unë dhe familja ime jemi gati të japim për këtë vend, duhet të ketë drejtësi, jo të mbahen të torturohen dhe më pas të shpallen të pafajshme. Kjo është gjykatë politike dhe deri në fund do të shkojë kështu”, është shprehur Haradinaj ndër të tjera.