Haradinaj e Veseli, homazhe te shtatorja e Skënderbeut

Në kuadër të organizimeve të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga kabineti qeveritar dhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, bëri homazhe te shtatorja e heroit kombëtar, në sheshin që mbanë emrin e tij në Prishtinë.

Lajme

17/01/2018 12:00

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se ky nderim është pjesë e aktiviteteve të përbashkëta të dy qeverive, Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës për Vitin Mbarëkombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Në këtë ditë kujtojmë gjithë veprën e madhe, luftën e madhe dhe gjithë të arriturat e heroit tonë, të arritura, në të cilat edhe ne sot ndërtojmë të tashmen dhe e kemi të garantuar të ardhmen. Po ashtu, me pietet përulemi para gjithë të rënëve për liri. Sot kujtojmë me respekt heronjtë e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka”, tha kryeministri Haradinaj.

Shtatorja e Skënderbeut është vendosur në sheshin kryesor që mban emrin e tij në Prishtinë në nëntor të vitit 2001.