Haradinaj: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet me rezultat konkret

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler me të cilin bisedoi për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.

Lajme

16/09/2017 16:15

Kryeministri Haradinaj tha se Austria i ka dhënë mbështetje Kosovës në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe posaçërisht perspektivës evropiane të vendit.

Kryeministri tha se është i rëndësishëm konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës dhe përkrahja në procesin e shtimit të njohjeve të reja, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, në OKB, NATO dhe BE. 

Kryeministri Haradinaj theksoi se puna në përmbushjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, marrëdhënies kontraktuale me BE-në do të intensifikohet dhe do të përshpejtohen afatet e përmbushjes së obligimeve me qëllim të arritjes së statusit të kandidatit për anëtarësim, por vlerësoi se për Kosovën është me rëndësi qartësimi i rrugës evropiane.

Ai tha se Kosova është e përkushtuar në ruajtjen dhe kultivimin e fqinjësisë së mirë dhe ruajtjes së paqes e stabiliteti në rajon. Dialogu me Serbinë është i paalternativë, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar se dialogu duhet të ristrukturohet dhe të afatizohet, të përmbushen të gjitha marrëveshjet e arritura dhe të përmbyllet me rezultat konkret. 

Kryeministri Haradinaj tha se qeveria ka vënë dinamikë të re të punës, është përqendruar në fushat e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe të rendit, reformat në ekonomi, arsim…, stabilizimin në energjetikë.

Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për detyrën, theksoi se Austria do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në të gjitha fushat. /Lajmi.net/