Haliti:Thaçi President, Kushtetuta s’flet për opozitën

Në deklarimin e tij në debatin e transmetuar në televizionin publik, Haliti u shpreh se Kushtetuta e përcakton që kandidati për President duhet t’i ketë 81 vota ndërsa në raundin e tretë 61.

Lajme

11/02/2016 23:21

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, deklaroi sot se Hashim Thaçi do të zgjidhet President i republikës dhe se këtë nuk mund ta pengojë opozita.

“Kushtetuta nuk thotë që duhet të jetë e pranishme opozita në Kuvend, gjatë kohës kur votohet presidenti”, tha Haliti që vjen nga PDK.

Në deklarimin e tij në debatin e transmetuar në televizionin publik, Haliti u shpreh se Kushtetuta e përcakton që kandidati për President duhet t’i ketë 81 vota ndërsa në raundin e tretë 61.

Ai vazhdoi duke shpjeguar se Kushtetuta nuk e specifikon se ku duhet të votohet Presidenti, vetëm se duhet të ketë kuorum, kundër kandidat dhe vota të mjaftueshme.

Pavarësisht të gjithave, ai në emisionin ‘Debat’ në RTK, u shpreh se është i bindur se Hashim  Thaçi do të votohet për president qysh në raundin e parë.

“Nuk di që ka ndonjë pengesë, përveç që nëse nuk ka kuorum në Kuvend dhe nuk merr vota”, tha Haliti.

Lidhur me disa opinione brenda LDK-së që kanë thënë se janë kundër Thaçit për president, Haliti tha se ata janë në koalicion me ta dhe beson në LDK.

“Besoj që kryesia e LDK dhe organet e saj janë deklaruar në shumicë që LDK e mbështet Thaçin president”.

Sa i përket mbajtjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti tha se ende nuk ka kërkesë për mbajtje të seancës.

“Por  afati kushtetues është 5 marsi kur duhet të jetë vendi me president”./lajmi.net