Hajnat nuk e respektojnë as Monumentin e Pavarësisë

Monumenti i Pavarësisë, i ngritur tek Parku Rinia në qendër të Tiranës me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë, ka rënë sërish pre e hajdutëve.

Lajme

21/07/2014 19:47

Policia ka nisur një procedim penal në gjendje të lirë për një punonjës të policisë bashkiake, i cili duhet të ruante monumentin.

Ndërkohë, ekspertë të policisë po punojnë për të identifikuar dhe kapur autorët e vjedhjes, derisa po kontrollohen edhe pikat e grumbullimit të skrapit, ku mund të jenë shitur pllakat e bronzit.

Ky monument u ndërtua i tëri me pllaka bronzi, me një kosto prej rreth 350 mijë euro, ku vetëm një nga pllakat e tij kushtoi 400 euro.

Monumenti historik u konceptua të kishte edhe Deklaratën e Pavarësisë, së bashku me firmat e 40 delegatëve që ishin në Vlorë ditën e shpalljes së Pavarësisë.

Por qytetarët që e vizitojnë atë nuk kanë nguruar të shkruajnë emrat e tyre në këtë monument . Madje, shpesh janë parë qytetarë duke urinuar tek ky monument. Së fundmi, monumenti kishte qenë pre e hajnave në mars të vitit të shkuar.

(KosovaPress)